Marjana Karolina Bunaj, 37-vjeçarja shtatzënë që humbi jetën teksa dërgohej nga spitali i Pogradecit drejt Tiranës priste fëmijën e saj të parë. Gruaja nga Mirdita, e martuar në Pogradec, ishte në muajin e 7-të të shtatzënisë.
I shoqi kishte pak ditë që ishte larguar drejt SHBA-ve, ku ai dhe familja e tij jetojnë, ndërsa 37-vjeçarja priste që t’u bashkohej atje.
Për të do të ishte hera e parë në SHBA, mesnatën e së dielës, 37-vjeçarja kishte dhimbje barku.
Ajo ka telefonuar motrën që banonte pranë saj, e cila menjëherë ka shkuar dhe e ka marrë me makinë për ta dërguar në spital.
Atje mjekët kanë dyshuar për hemorragji dhe pasi e kanë vendosur në katin e sipërm të maternitetit, kanë konstatuar se duhej dërguar në Tiranë.
Është diskutuar edhe helikopteri por duke qenë se ka qenë errësirë, s’mund të realizohej.
Sipas informacioneve të para, 37-vjeçarja është paraqitur me parametra jetësorë të ulët, në gjendje të patransportueshme, ndërsa më pas është kryer edhe reanimimi.
Në orën 04:30 e kanë nisur me ambulancë për Tiranë. Në hyrje të Elbasanit ajo ka ndaluar së reaguari dhe infermierja i ka rënë xhamit të shoferit duke i thënë “Fute te spitali i Elbasanit se na iku.”
Motra e 37-vjeçares ka qenë e pranishme edhe në ambulancë dhe thotë se 37-vjeçarja mbërriti e vdekur në spital.
Më pas e dërguan për autopsi në morgun e Tiranës, kurse motra e së ndjerës ka shkuar në komisariatin nr. 4 për të bërë një kallëzim.
