Skënderbeu merr një lajm të rëndësishëm përpara përballjes së sotme me Dinamon. Klubi korçar ka zhbllokuar përfundimisht situatën e merkatos dhe FSHF ka regjistruar lojtarët e afruar gjatë merkatos së verës.
Pas zgjidhjes së problemeve që lidhen me detyrimet e prapambetura në FIFA, korçarët kanë mundur të regjistrojnë në federatë përforcimet e reja, duke i dhënë trajnerit Ahmataj më shumë alternativa për formacionin.
Në listën e lojtarëve të regjistruar sot janë Sejdi Amadu, Amadu Diallo, Malimiliano Doda, Ousman Drame, Reild Kurti, Georgios Lagonidis, Luan Lleshi, Enur Totre dhe Nikola Veliçkovski.
Të nëntë futbollistët tashmë janë të gatshëm për t’u aktivizuar dhe mund të jenë pjesë e Skënderbeut në sfidën e sotme ndaj Dinamos.
Zhbllokimi i merkatos është një zhvillim i rëndësishëm për ekipin korçar, i cili tashmë mund të përfitojë nga kontingjenti i plotë i lojtarëve të afruar gjatë verës.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse trajneri Ahmataj do t’u besojë menjëherë përforcimeve të reja në një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Dinamos.
