Nafta “djeg” xhepat e Shqiptarëve…fluturon në 2.5 dollarë litri…

Nafta në Shqipëri po rezulton një nga karburantet më të shtrenjta në Europë dhe në botë. Sipas platformës Global Petrol Prices, në muajin gusht një litër naftë kushton rreth 2.5 dollarë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 13-të në botë.

Me këtë çmim, Shqipëria konkurron me vende si Monako, Zvicra, Finlanda dhe Singapori, ndërsa çmimi mesatar në Europë është rreth 2.2 dollarë për litër. Në rajon, diferenca është edhe më e dukshme. Maqedonia e Veriut, për shembull, e ka naftën rreth 1.49 euro për litër.

Por problemi nuk lidhet vetëm me çmimin në pompë. Një tjetër klasifikim, nga platforma FuelWide, e rendit Shqipërinë të dytën në Europë, pas Ukrainës, për koston e naftës në raport me pagat mesatare.

Sipas të dhënave të cituara nga Balkan View, me një pagë mesatare prej rreth 740 eurosh, në Shqipëri mund të blihen afërsisht 363 litra naftë. Në Kosovë, pavarësisht pagave më të ulëta, një pagë mesatare mund të blejë rreth 103 litra më shumë naftë.

Kjo diferencë e bën karburantin një barrë të drejtpërdrejtë për buxhetet familjare, por edhe për bizneset dhe transportin, pasi çdo rritje e kostos së naftës mund të reflektohet më pas në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Në krye të renditjes globale për çmimin më të lartë të karburantit qëndron Hong Kongu, me rreth 4.6 dollarë për litër.

Ndërkohë, pesha e karburantit në ekonominë shqiptare reflektohet edhe në të ardhurat e shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm gjatë vitit të kaluar arkëtimet nga taksat e shtuara mbi karburantin arritën në rreth 250 milionë euro.

Kështu, Shqipëria përballet njëkohësisht me një çmim të lartë të naftës, fuqi blerëse më të kufizuar dhe një barrë të konsiderueshme fiskale mbi karburantet.