Skena si në film në Vlorë/ I kërkojnë 5 milionë euro pronarit, të shtëna me armë, përplasje fizike dhe aksident i frikshëm

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash dyshohet se kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, personat kanë kërcënuar fillimisht pronarin me fjalë, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar dhe dyshohet se janë përdorur edhe armë.

Autorët i kanë kërkuar pronarit të hotelit shumën prej 5 milionë eurosh. Gjatë përplasjes mes palëve ka pasur edhe konflikt fizik, ndërsa grupi është larguar me shpejtësi nga ambientet e hotelit.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e personave të dyshuar. Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.

Mesohet se një grup prej më shumë se 10 personash zbarkuan në ambientet e “Regina Hotel” dhe pasi nuk arritën qëllimin e tyre hapën zjarr në drejtim të godinës. Por duket se asgjë nuk shkoi sipas planit të autorëve, madje as tentativa për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Gjatë largimit dhe përpjekjes për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, një prej automjeteve të përdorura nga grupi për të shkuar në hotel u aksidentua në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës. Bëhet fjalë për një automjet tip “Range Rover”, me targa AM001AM, ku ndodheshin tre prej autorëve të dyshuar. Nga informacionet e deritanishme, automjeti rezulton të jetë në pronësi të Bankës OTP Albania, ndërsa mbetet për t’u sqaruar se si mjeti ka përfunduar në përdorim të personave të përfshirë në ngjarje.