Policia greke është vënë në alarm pas një shkëmbimi zjarri të regjistruar rreth orës 05:15 të mëngjesit në një beach bar në periferi të Athinës. Sipas hetimeve paraprake, në ambientet e lokalit ndodhej grupi i Alket Rizait. Pas uljes së muzikës për shkak të orarit të vonë, Rizai dyshohet se ka dalë në parking së bashku me dy persona të tjerë dhe ka vendosur muzikë me volum shumë të lartë në automjetin e tij.
Pronari i lokalit ka dalë jashtë dhe i ka kërkuar të ulë zërin, duke i paralajmëruar se mund të njoftohej policia për zhurmën. Situata është tensionuar dhe në konflikt janë përfshirë edhe klientë e punonjës të lokalit.
Sipas policisë greke, në atë moment Rizai dyshohet se ka nxjerrë armë dhe ka qëlluar në ajër. Menjëherë më pas, dyshohet se ka qëlluar edhe një shtetas afgan, i cili punonte si pjesë e sigurisë së lokalit.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën asnjë prej personave të përfshirë në konflikt. Në zonë u gjetën vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Pak më vonë, në Qendrën Shëndetësore të Kalyvia-s u paraqitën dy persona të plagosur. Bëhet fjalë për një 20-vjeçar grek, i cili kishte marrë dëmtime në këmbë nga copat e xhamit, si dhe një 41-vjeçar me origjinë pakistaneze, i cili kishte marrë një plagë plumbi në shpatull.
Të dy të plagosurit rezultojnë të jenë punonjës të lokalit, por sipas autoriteteve kanë dhënë versione të ndryshme për atë që ka ndodhur. Edhe pronari i beach bar-it ka dhënë një tjetër version të ngjarjes.
Ndërkohë, policia greke po kërkon Alket Rizain, i cili pas incidentit është larguar dhe nuk është gjetur ende. Autoritetet po analizojnë kamerat e sigurisë së lokalit dhe zonës përreth, me qëllim përcaktimin e dinamikës së plotë të ngjarjes, përfshirë faktin se kush ka qëlluar i pari dhe nëse ka pasur realisht shkëmbim zjarri.
Sipas policisë, bëhet fjalë për një konflikt të nisur në mënyrë të papritur për shkak të muzikës me volum të lartë.
KUSH ËSHTË ALKET RIZAI?
Alket Rizai, 47 vjeç, me origjinë nga Ballshi, është një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Greqi. Ai është dënuar me dy burgime të përjetshme, si dhe 25 vite të tjera burg, për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, grabitje dhe armëmbajtje.
Rizai u arrestua në vitin 2003 dhe u bë i famshëm në Greqi për dy arratisje spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë të Korydallos.
Në vitin 2006, ai u arratis me helikopter së bashku me Vasilis Paleokostas, ndërsa arratisja e dytë ndodhi në vitin 2009, po nga burgu i Korydallos.
Në kohën kur ndodhi incidenti i fundit, Rizai ndodhej jashtë burgut me një leje pesëditore nga burgu i Domokos dhe duhej të rikthehej të hënën në mëngjes. Pas përplasjes me armë në Anavyssos, autoritetet greke kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij, ndërsa hetimi vijon për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.


