Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka qenë “viktima” e radhës e protestuesve në Tiranë, të cilët i kanë shkuar në kafe me thirrjet: “Burg!”, “Burg!”, “O hajdut”. Ish-ministri i brendshëm ka ruajtur qetësinë duke iu kthyer vetëm me fraza: “Ik se latë nam”. Ajo që ka reaguar ka qenë bashkëshortja e tij.
Delina Fico që është shfaqur shumë e shqetësuar nga thirrjet. Ajo ka tentuar të qëllojë me shishe uji në drejtim të protestuesve.
Ditën e sotme, Fico ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin ku tregon se çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme. Ajo u shpreh se nuk u përmbajt dot dhe u irritua kur protestuesit nisën të përmendnin edhe atë.


