Ndjekja Kapshticë–Gramsh/ Dy “Audi Q7” nuk ndaluan, përplasin dy patrulla p*licie – 15 emigrantë u lanë pranë Lozhanit

Dy drejtues automjetesh janë shpallur në kërkim nga Policia, pasi dyshohet se po transportonin rreth 15 emigrantë të paligjshëm nga zona e Kapshticës në drejtim të Tiranës. Ngjarja nisi pranë Kapshticës, ku shërbimet e Policisë konstatuan dy automjete tip “Audi Q7” dhe u vunë në ndjekje të tyre, pasi drejtuesit nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar.

Gjatë ndjekjes, dy automjetet kanë vijuar me shpejtësi në drejtim të Gramshit. Sipas Policisë, gjatë arratisjes drejtuesit kanë ndaluar pranë Lozhanit, ku kanë lënë rreth 15 emigrantë, dhe më pas kanë vijuar rrugën.

Arratisja ka vijuar deri në Gramsh, ku dy automjetet janë përballur me një postbllok policor. Në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit, drejtuesit kanë përplasur dy automjete të Policisë, duke rrezikuar edhe efektivët që ndodheshin në shërbim.

Pavarësisht përplasjes, dy drejtuesit kanë mundur të largohen nga vendngjarja. Më vonë, dy automjetet janë gjetur të braktisura në dy fshatra të Gramshit.

Policia vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet. Në lidhje me rastin, një person i tretë është proceduar në gjendje të lirë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.