Kazanët e plehrave në Korçë, të ndryshkur e të papastër/ “Do shkojmë në Europë”, po kështu?

Gjendja e disa kazanëve të mbetjeve urbane në Korçë ngre pikëpyetje për cilësinë dhe standardin e shërbimit të pastrimit në qytet. Kazanët, të cilët duhet të jenë pjesë e një shërbimi bazë për higjenën dhe pastërtinë publike, në disa zona paraqiten të ndryshkur, të amortizuar dhe aspak të pastër.

Pamja e tyre bie në kontrast me imazhin që Korça synon të përcjellë si një qytet turistik dhe me standarde europiane.

Një tjetër pikë që kërkon vëmendje është fakti se shërbimi i pastrimit të qytetit është ofruar prej vitesh nga e njëjta kompani.

Por pyetja që lind është e thjeshtë: pas kaq vitesh shërbim, a duhet të jenë këta kazanët që shohim sot në rrugët e Korçës?

Nëse flasim për standarde europiane, pastërtia nuk lidhet vetëm me trotuaret apo qendrën e qytetit. Ajo nis edhe nga elementët më të thjeshtë të shërbimit publik: kazanët, higjina e tyre, mirëmbajtja dhe zëvendësimi i atyre që janë amortizuar.

Qytetarët paguajnë për shërbimet publike dhe kanë të drejtë të kërkojnë që ato të jenë në përputhje me standardin që pretendohet për qytetin.

“Do shkojmë në Europë”, është një frazë që dëgjohet shpesh. Por pyetja mbetet: a mund të flasim për standarde europiane kur kazanët e plehrave në disa prej lagjeve të Korçës janë të ndryshkur dhe të mirëmbajtur keq?

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.