Transporti publik në Korçë vdes pas orës 16:00/ Qytetarët: “Si të shkojmë në Voskopojë, Dardhë e Tiranë pa makinë?”

Korça është një prej qyteteve më të vizituara në juglindje të vendit, (Qender Qarku) ndërsa përreth saj ndodhen disa prej destinacioneve më të njohura turistike si Voskopoja, Dardha dhe Vithkuqi. Por për turistët apo qytetarët që nuk kanë një automjet personal, vizita në këto zona duket se kthehet në një sfidë, veçanërisht pas orëve të pasdites.

Kjo është një prej problematikave që ngrihet në komentet e qytetarëve, të cilët kritikojnë mungesën e alternativave të transportit publik dhe oraret e kufizuara të lëvizjes drejt zonave përreth Korçës.

Një qytetar, duke sjellë përvojën e tij pas një qëndrimi disa ditor në Korçë, shkruan se atraksionet kryesore të rrethinave janë praktikisht të paarritshme pa makinë personale.

Sipas tij, mungesa e transportit drejt destinacioneve turistike është një prej faktorëve që ndikon edhe në kohën që vizitorët qëndrojnë në qytet.

“Një prej arsyeve të rrudhjes së kohëqëndrimit në Korçë është pikërisht edhe kjo, mungesa e vëmendjes nga drejtoritë përkatëse në Bashki”, shprehet ai.

Kritikat nuk lidhen vetëm me Voskopoja, Dardhën apo Vithkuqin, por edhe me mënyrën se si mund të lëvizet nga Korça drejt qyteteve dhe zonave të tjera të qarkut.

“Ku janë hekurudhat?”, shkruan një tjetër qytetar, duke ngritur shqetësimin për mungesën e një alternative hekurudhore që do të lidhte Korçën me pjesë të tjera të vendit.

Në të njëjtën linjë, një tjetër komentues kërkon investime në infrastrukturën rrugore dhe lidhje më të shpejta mes qyteteve.

Përtej kritikave të drejtpërdrejta, në komentet e qytetarëve përsëritet një pyetje e thjeshtë: Nëse një turist vjen në Korçë pa makinë, sa mundësi reale ka për të eksploruar destinacionet përreth?

Voskopoja, Dardha dhe Vithkuqi janë ndër pikat që mund të zgjerojnë eksperiencën turistike përtej qendrës së qytetit. Por nëse transporti publik nuk ofron orare të përshtatshme, sidomos në orët e pasdites, vizitorët që nuk kanë automjet mbeten të kufizuar.

Në këtë situatë, debati nuk është vetëm për transportin, por edhe për modelin turistik të Korçës.

Një qytet që synon të tërheqë turistë për fundjava apo qëndrime disa ditore ka nevojë jo vetëm për aktivitete dhe atraksione në qendër, por edhe për lidhje të rregullta me destinacionet turistike përreth.

Dhe pyetja që mbetet për institucionet është konkrete:

A mund të shijohet realisht Korça dhe rrethinat e saj pa pasur një makinë personale?

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.