Një episod i pazakontë nga një dasmë ka sjellë të qeshura në studion e “Live me Luizin”, ku e ftuar ishte këngëtarja Korçare Eli Fara. Teksa po rrëfente disa nga situatat më pikante që i kanë ndodhur ndër vite, Eli tregoi një dasmë ku, sipas saj, gjithçka dukej sikur drejtohej me komandë.
Këngëtarja tha se ishte përgatitur që në mëngjes, kishte shkuar në parukeri dhe ishte veshur posaçërisht për eventin. Por sapo mbërriti në dasmë, diçka i tërhoqi menjëherë vëmendjen.
“Shoh muzikantët, ambientin dhe njerëzit. Pyes muzikantët: Jeni të sigurt që unë jam në këtë dasmë?”, rrëfeu artistja.
Arsyeja? Një person nga familja, të cilin Eli Fara e përshkroi si “drejtues” apo “regjisor të dasmës”, u jepte vazhdimisht urdhra të ftuarve që kërcenin.
“U thonte këtyre që kërcenin si t’i urdhëronte: ‘Çohu ti, ulu, ti tjetri çohu!’”, tregoi këngëtarja.
Por situata nuk përfundoi aty. Pas vetëm pak minutash, urdhri u përsërit sërish.
“Pas 10 minutash sërish: ‘Çohu ti!’ Dhe unë u çova, u thashë muzikantëve që po dal pak përjashta, mora makinën dhe u largova. Kaq ishte dasma”, tha Eli.
Një largim i papritur, por që këngëtarja duket se e ka marrë me sportivitet. Në vend që të qëndronte në një dasmë ku edhe mënyra e kërcimit dukej se kishte “rregulla”, Eli Fara zgjodhi një zgjidhje të thjeshtë: mori makinën dhe u largua.
