“Nuk më jep shkak të jem xheloze”/ Alketa Vejsiu zbulon detaje nga martesa dhe tregon nëse do të hyjë në Big Brother

Alketa Vejsiu ka folur më hapur se zakonisht për jetën e saj private, marrëdhënien me bashkëshortin dhe mënyrën se si ka zgjedhur ta mbajë familjen larg vëmendjes së publikut. E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, moderatorja u vendos përballë disa pyetjeve personale nga Luiz Ejlli, i cili e ngacmoi edhe për mënyrën se si ajo e prezanton veten kur ndodhet mes njerëzve që nuk e njohin.

“Po ti si e prezanton veten?”, e pyeti Alketa.

“Burri i Kiarës”, iu përgjigj Luizi.

“Dhe unë do ta marr këtë model. Do them: jam gruaja e Ardianit, një burrë i jashtëzakonshëm që gjithë jetën më trajtoi si një grua të përveçme, mamaja e Lionelit dhe Nikollës dhe Alketa, një vajzë e mirë që bën dhe televizion herë pas here”, tha ajo duke qeshur.

Vejsiu u pyet edhe nëse është xheloze për bashkëshortin.

“Nuk jam, se nuk më jep shkak ai”, u përgjigj moderatorja.

Një tjetër pikë që u prek gjatë bisedës ishte arsyeja pse Alketa nuk e publikon bashkëshortin në rrjetet sociale.

Ajo shpjegoi se zgjedhja lidhet me respektin për privatësinë e tij, pasi ai nuk është pjesë e botës së showbizit.

“Respektoj dëshirën dhe lirinë e tij, sepse nuk është njeri që i përket botës së showbizit. Kështu ka qenë që në fillim dhe unë respektoj limitet e partnerit, siç ai më ka dhënë liri të jetoj unë plotësisht pasionin tim”, tregoi Alketa.

Moderatorja zbuloi gjithashtu se është njohur me bashkëshortin kur nuk kishte mbushur ende 20 vjeç, ndërsa ai ishte 33.

“Ai ishte një djalë i ri, i pjekur, i cili e pa që unë kisha rrugë për të bërë dhe nuk donte kurrsesi që planet tona familjare të ndërprisnin rrugën time për të bërë gjënë që mua më bën të lumtur”, tha ajo.

Kur Luizi e pyeti se çfarë e bën të sigurt se bashkëshorti nuk e tradhton, Alketa tha se kjo nuk është një çështje që e shqetëson në marrëdhënien e tyre.

“Nuk e kam fare këtë shqetësim. Nuk ka të bëjë me sigurinë në vetvete, ka të bëjë me një pakt të heshtur që bëjnë dy njerëz kur vendosin për të çuar disa projekte të mëdha bashkë, dhe projekti më i madh janë fëmijët, është familja”, u shpreh ajo.

Në të njëjtën intervistë, Alketa foli edhe për zërat se mund të jetë pjesë e edicionit të ardhshëm të “Big Brother VIP Albania” si opinioniste.

E pyetur nga Luizi se kë do të hiqte nga paneli, Arbërin apo Monikën, ajo u përgjigj me humor:

“Nuk heq unë asnjë, unë thjesht, më dhanë karrigen u ula si zonjë. Unë erdha dhe u ula në karrigen që më dhanë. Nuk më dhanë çelësat e shtëpisë”.

Më tej, ajo tha me shaka se do të presë momentin e saj për të drejtuar formatin.

“Unë do të pres radhën, kur të mërzitet Ledioni, të bëjë ai një format tjetër që ta drejtoj unë Big Brother-in”.

Në fund, Vejsiu sqaroi se bëhej fjalë për një batutë dhe vlerësoi moderimin e Ledion Liços.

“Unë bëra thjesht shaka se unë jam shumë e lumtur që e drejton Ledioni se e drejton shumë mirë”, përfundoi ajo.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.