Mjeku Korçar që i kushtoi jetën pacientëve/ Dr. Misto Lolo feston ditëlindjen

Më 5 tetor 1948, në Boboshticë, lindi Dr. Misto Lolo, një prej figurave të njohura të mjekësisë korçare, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ia kushtoi jetën profesionit dhe pacientëve. Rrugëtimi i tij në mjekësi nisi herët. Në vitin 1962 ai filloi studimet në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1966 si ndihmësmjek.

Pas dy vitesh pune në Bozhigrad, vijoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, duke u diplomuar në vitin 1973 si mjek i përgjithshëm.

Pas përfundimit të stazhit në Spitalin Civil të Korçës, Dr. Lolo u rikthye në Bozhigrad dhe më pas nisi punën në shërbimin spital-poliklinik të Korçës, ku u angazhua në repartin e kirurgjisë.

Pasioni dhe përkushtimi ndaj profesionit e çuan drejt specializimit në ortopedi-traumatologji. Në vitin 1980 kreu kursin për kirurgjinë e luftës dhe urgjencat ortopedike, ndërsa më vonë u specializua pranë Klinikës së Ortopedi-Traumatologjisë në Tiranë. Në vitin 1983 u rikthye në Korçë si ortopedi i dytë i shërbimit kirurgjik.

Gjatë viteve të punës, Dr. Misto Lolo u dallua për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin ndaj pacientëve. Emri i tij lidhet edhe me aplikimin për herë të parë në Korçë të osteotomisë pelvike (SALTer), një ndër ndërhyrjet që shënoi një hap të rëndësishëm në praktikën ortopedike.

Në vitin 2002 u largua drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku vijoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e mjekësisë, duke ruajtur të njëjtin përkushtim ndaj profesionit.

Në ditën e lindjes së tij, kujtohet një mjek që la gjurmë në mjekësinë korçare dhe në kujtesën e pacientëve e kolegëve të tij.

Gëzuar ditëlindjen, Dr. Misto Lolo!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.