Anxhela Paparizo pritet të emërohet Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), duke marrë drejtimin e institucionit që luan një rol të rëndësishëm në procesin e decentralizimit dhe mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore.
Paparizo sjell në këtë detyrë një eksperiencë më shumë se 20-vjeçare në administratën vendore, të ndërtuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kanada. Gjatë karrierës së saj ajo ka mbajtur disa role drejtuese në administratën publike vendore, përfshirë eksperiencën në Bashkinë e Tiranës dhe në administratën e Bashkisë së Burlingtonit, në Ontario.
Deri në mesin e këtij viti, Anxhela Paparizo ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), një nga institucionet më të rëndësishme shëndetësore në vend.
Për kontributin e saj profesional, Paparizo është vlerësuar gjithashtu me çmimin “Elitë e Gruas Shqiptare në Botë”, duke u renditur mes grave shqiptare të spikatura në karrierën e tyre profesionale.
Në krye të AMVV-së, Paparizo do të pasojë Stiljan Llavdanitin, i cili ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të komanduar të Agjencisë.
