Këngëtarja nga Kosova, Egzona Ademi, i është drejtuar policisë për të denoncuar publikimin dhe shpërndarjen në internet të materialeve intime që lidhen me kompozitorin Adrian Hila. Sipas raportimeve, Ademi është paraqitur pranë autoriteteve, ku ka dhënë deklarimet e saj lidhur me rastin.
Gjatë dëshmisë, ajo dyshohet se ka përmendur edhe persona konkretë, të cilët mund të ndihmojnë hetuesit për të zbardhur rrethanat se si materialet kanë përfunduar në internet.
Hetimi është përqendruar te burimi i videove, mënyra e regjistrimit të tyre dhe personat që mund të kenë pasur akses në materialet përpara publikimit dhe shpërndarjes së tyre.
Në kuadër të verifikimeve, policia ka marrë gjithashtu deklaratën e një artisti të ri, ndërsa pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për çështjen.
Materialet intime që lidhen me Adrian Hilën kanë qarkulluar së fundmi në internet dhe në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e regjistrimit, ruajtjes dhe më pas publikimit të tyre.
Hila po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “ndërhyrje e padrejtë në jetën private”, e cila parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Deri në përfundimin e hetimeve dhe daljen e një vendimi nga organet kompetente, çdo përgjegjësi individuale mbetet për t’u provuar nga autoritetet.
