Dhimbje e madhe në Itali pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Giulia Stefës, vetëm 24 vjeçe. E reja ndërroi jetë gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, në banesën e saj në lagjen Terminetto, pasi kishte shfaqur vështirësi në frymëmarrje dhe më pas pësoi një rëndim të gjendjes.
Partneri i saj, Leonardo Zaia, njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar në banesë dhe transportimit në spitalin Noa në Massa, Giulia nuk mundi të mbijetonte.
Jeta e saj kishte ndryshuar katër vite më parë, pas një aksidenti të rëndë me ski në pistat e Abetones. Giulia u përplas me një shtyllë dhe pësoi disa trauma, ndërsa që prej asaj dite përballej me probleme shëndetësore. Aksidenti e detyroi gjithashtu të hiqte dorë nga pasioni për skijimin dhe puna në kompaninë familjare.
Giulia kishte lindur në Pietrasanta, ndërsa prindërit e saj, Diana Kadushja dhe Kostandin Stefa, janë me origjinë nga Durrësi. Familja dhe të afërmit e kujtojnë si një vajzë plot jetë, të dashur dhe gjithmonë të gatshme të mendonte për të tjerët.
Motra e saj, Aurora, ka ndarë një mesazh prekës pas humbjes së saj: “Kishim ende kaq shumë gjëra për të jetuar së bashku. Ti mezi prisje të bëheshe teze dhe të organizoje dasmën time”.
“Do të më mungosh çdo ditë të jetës sime. Të dua, motra ime e vogël. Përgjithmonë ne të dyja”, shkruan ajo.
Lamtumira e fundit për Giulia-n do të mbahet më 7 tetor, në orën 10:00, në kishën Santa Rita në Campo d’Aviazione. Pas ceremonisë, ajo do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Viareggios.
