Beqir Devolli ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës, pasi mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i një sasie tritoli në automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, në Gjirokastër. 48-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa po transportohej me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Mesohet se, lënda plasëse e vendosur në automjetin tip “Benz” është aktivizuar me telekomandë, ndërsa dyshohet se personi që shkaktoi shpërthimin e kishte ndjekur viktimën për rreth 3 kilometra, nga zona e Viroit deri në vendin ku ndodhi ngjarja.
Devolli, i njohur edhe me nofkën “Çilo Hunderri”, kishte pirë kafe me një mik përpara se të hipte në automjet së bashku me Erigels Melën. Makina shpërtheu teksa ishte në lëvizje në bulevardin “18 Shtatori”, pranë ambienteve të Policisë dhe institucioneve të drejtësisë në Gjirokastër.
Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se atentati ishte planifikuar me kujdes dhe se personi që aktivizoi eksplozivin kishte pritur derisa rruga të zbrazej. Si pasojë e plagëve të rënda, Devolli ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa 26-vjeçari Mela mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe te kërcënimet që dyshohet se kishin marrë më parë të dy personat. Sipas raportimeve, një vit më parë 26-vjeçarit Erigels Mela i ishte djegur makina ‘Range Rover ‘në Dunavat të Gjirokastrës, ngjarje që dyshohet se mund të ketë shërbyer si paralajmërim.

