Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovë, pas përfundimit të emisionit sportiv “Dueli Sportiv”. Ish-drejtoresha e klubit të futbollit të vajzave të Tiranës, Aliu, ka denoncuar një kërcënim dhe sulm fizik të pretenduar nga panelisti Liridon Leci.
Sipas deklarimeve të saj për mediat kosovare, konflikti ka nisur pas një debati televiziv, gjatë të cilit palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme për çështje sportive. Aliu pretendon se situata ka agravuar pas përfundimit të transmetimit, duke përfunduar në fyerje dhe dhunë fizike.
Në një prononcim për “Gazeta Demos”, Aliu ka treguar se është përballur me ofendime të rënda dhe se më pas, sipas saj, Leci e ka kapur nga fyti dhe e ka goditur.
“Pasi kemi dalë nga aty më ka thënë ti je krvë, prostitutë, shitesh andej e shitesh këtej, nënën e ke krvë, familje k*rvash, tani më kapi në fyt e më gjuajti me grusht a me duar, diçka e tillë”, ka deklaruar Aliu për mediat kosovare.
E tronditur nga ajo që pretendon se ka përjetuar, ish-drejtoresha është shprehur e frikësuar, duke theksuar se një situatë e tillë është veçanërisht e rëndë për dikë që i është përkushtuar sportit.
“Është e tmerrshme me hy në një studio televizive për të diskutuar për sportin, për diçka që e do dhe që është pjesë e jetës tënde dhe të dalësh aty e rrahur, e tronditur dhe e frikësuar”, është shprehur ajo.
Sipas informacionit të bërë publik, Aliu ka depozituar kallëzim në Policinë e Kosovës lidhur me incidentin. Rrethanat e plota të ngjarjes dhe pretendimet e ngritura pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse.
Pas largimit nga klubi i Tiranës, Aliu është emëruar drejtoreshë e ekipit të futbollit të vajzave të Gramshit në Shqipëri.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria e pjesëmarrësve në debatet televizive dhe rëndësia e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve pa kërcënime apo dhunë. Deri në sqarimin e plotë të rastit, pretendimet për sulmin mbeten deklarime të palës denoncuese.


