Mjeku Ermal Pasha ka ngritur akuza të forta lidhur me mënyrën se si u trajtua 28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë dhe rrezikon të humbasë shikimin.
Në një intervistë televizive, Pasha rrëfeu se kishte tentuar t’i jepte ndihmën e parë të riut, por ishte penguar nga personat e pranishëm, pavarësisht se ishte prezantuar si mjek.
Sipas tij, fillimisht kishte vënë re një person të shtrirë në anën tjetër të Lanës, përreth të cilit ishin mbledhur disa njerëz. Duke menduar se mund të bëhej fjalë për një rast asfiksie nga gazi lotsjellës, ai tentoi t’i afrohej për ta ndihmuar.
“Kur pashë që situata po zgjaste, tentova të vrapoja drejt tij, por nuk më lejuan. Isha vetëm. Hoqa maskën, syzet dhe u prezantova që të më njihnin. Doja ta ndihmoja, por u pengova”, deklaroi Pasha.
Dyshime për transportin e të plagosurit
Një tjetër shqetësim i ngritur nga mjeku lidhet me mënyrën e transportimit të Vishkullit pas plagosjes. Pasha pretendoi se i riu ishte vendosur fillimisht në një automjet të policisë të përshtatur si ambulancë, por më pas ishte zbritur prej tij.
Mjeku kërkoi që autoritetet të sqarojnë rrethanat e këtij veprimi dhe të bëjnë të ditur se kush kishte dhënë urdhrin për zbritjen e të plagosurit nga automjeti.
“Si ka mundësi që hipi në ambulancën e policisë dhe më pas u zbrit? Kush e dha urdhrin? E mori një ambulancë që rrinte te radhët e policisë, një fuoristradë e transformuar në ambulancë, një nga ato që transportonin edhe gaz lotsjellës”, u shpreh ai.
