Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia në Korçë, pasi ka plagosur me thikë një 19-vjeçar gjatë një konflikti në lagjen nr. 4 të qytetit. I riu i plagosur ka marrë mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas Policisë, i dyshuari, shtetasi R. I., banues në Korçë, u kap pas disa orësh ndjekjeje, pas veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë,
në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Korçë.
Nga verifikimet rezultoi se 23-vjeçari ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan thikën që dyshohet se u përdor në konflikt, një sasi lënde narkotike kanabis, si dhe një objekt në formë pistolete, në ngjyrë të zezë, që përdorej me sfera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


