Protestat japin efektet e para, qeveria ul TVSH-në për ushqimet bazë në 6% 

Qeveria ka propozuar uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 6% për një grup produktesh ushqimore bazë. Ndryshimi parashikohet në paketën fiskale për vitin 2027, përmes një ndërhyrjeje në ligjin për TVSH-në. Sipas propozimit, shkalla e reduktuar do të zbatohet për bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat dhe vajin ushqimor.

Në listën e produkteve përfshihen gjithashtu mishi i pulës, i viçit dhe i derrit, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, si edhe bishtajoret.

TVSH-ja 6% parashikohet të zbatohet edhe për sheqerin dhe ushqimet bazë për foshnja. Lista e detajuar e produkteve që do të përfitojnë nga kjo masë do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Propozimi shton një pikë të re në nenin 49 të ligjit për TVSH-në. Ai pritet të shqyrtohet në kuadër të paketës fiskale për vitin 2027.

Ulja e TVSH-së mund të ndikojë në çmimet e këtyre produkteve, por masa në të cilën ajo do të pasqyrohet te konsumatorët do të varet edhe nga çmimet që do të vendosen në treg.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.