Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur rezerva për projektligjin e sponsorizimeve që po diskutohet në institucionet shqiptare, duke kërkuar ndryshime të rëndësishme përpara miratimit përfundimtar.
Në një intervistë për Top Channel, Duka e cilësoi pozitiv faktin që nisma ka avancuar pas më shumë se 10 vitesh diskutimesh, por theksoi se ligji duhet të jetë funksional dhe të mos pengohet nga burokracitë shtetërore.
Një nga kundërshtitë kryesore lidhet me fondin prej 2 miliardë lekësh, të cilin kreu i FSHF-së e konsideron të pamjaftueshëm. Ai kërkon që kjo shumë të pesëfishohet, në mënyrë që të përfitojnë jo vetëm klubet profesioniste, por edhe akademitë dhe sportet e tjera.
Duka kërkon gjithashtu që sponsorizimet të konsiderohen si një mënyrë alternative e pagesës së tatimit për bizneset, ndërsa kontrolli nga institucionet shtetërore të kryhet pas realizimit të financimit dhe jo përmes autorizimeve paraprake.
Një tjetër shqetësim është mungesa e garancive se sa nga fondet do të shkojnë konkretisht për futbollin dhe infrastrukturën sportive. Sipas tij, ndërtimi i një fushe futbolli kushton rreth 400 mijë euro, ndaj fondi aktual nuk mjafton për nevojat e këtij sektori.
Presidenti i FSHF-së solli në vëmendje edhe ndikimin ekonomik të sportit, që sipas shifrave të prezantuara prej tij arrin rreth 70 milionë euro në vit.
“Unë nuk po kërkoj që futbolli t’i marrë nga buxheti këto 70 milionë euro, por të kthejë një pjesë të tyre”, u shpreh Duka, duke theksuar se investimet duhet të shkojnë për fëmijët, fushat sportive dhe palestrat.
Në përfundim, ai bëri të ditur se FSHF ka paraqitur propozime konkrete për ndryshimin e projektligjit, pasi drafti aktual, sipas tij, ndryshon nga marrëveshjet e diskutuara më parë.
Sipas Dukës, ligji duhet të krijojë mundësi reale financimi për sportin shqiptar dhe jo të shndërrohet në një tjetër mekanizëm burokratik.
