Këngëtarja shume e dashur per publikun Ermira Babaliu feston ditëlindjen. Me një karrierë të veçantë dhe një zë që ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare, ajo mbetet një nga emrat e dashur për publikun. Që në moshë të re, Ermira shfaqi talentin dhe dashurinë për këngën dhe muzikën.
Edhe pse ndoqi studimet në Institutin e Shkencave Politike, pasioni për artin nuk u shua kurrë dhe muzika u bë pjesë e pandashme e jetës së saj.
Që në hapat e parë të karrierës, ajo mori pjesë në festivale të ndryshme, ku u vlerësua për interpretimin dhe talentin e saj. Një ndër vlerësimet e rëndësishme erdhi në vitin 1987, në Takimin Kombëtar të Talenteve të Reja, ku fitoi çmimin “Për interpretim me nivel të lartë ideo-artistik të këngëve rinore”.
Nga muzika e lehtë shqiptare te serenatat e bukura korçare, Ermira Babaliu ka ndërtuar një rrugëtim artistik të spikatur, duke fituar simpatinë dhe vlerësimin e publikut.
Edhe në jetën personale, Ermira ka një lidhje të veçantë me qytetin e serenatave. Ajo është e martuar me Sandrin, një Korçar, me të cilin ka krijuar familjen e saj dhe ka një vajzë, Dorelën.
Edhe pse prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo nuk është shkëputur nga rrënjët e saj. Përmes serenatave, vazhdon të përcjellë traditën dhe shpirtin e Pogradecit e Korçës, duke mbajtur gjallë lidhjen me qytetin e saj të lindjes.
Gëzuar ditëlindjen, Ermira Babaliu! Shëndet, lumturi dhe sa më shumë vite të bukura, me këngë e duartrokitje!
