Futbollisti Korçar i akademise Skenderbeu Uerdi Mara është kthyer në protagonistin kryesor të Dinamo Batumit, duke shënuar një gol vendimtar në minutën e 92-të, që mund të ketë peshë të jashtëzakonshme në garën për titullin kampion në Gjeorgji.
Ish-lojtari i Skënderbeut realizoi në momentet e fundit të takimit, duke i dhuruar skuadrës së tij një fitore me shumë rëndësi dhe duke ndezur festën në stadium.
Falë këtij triumfi, Dinamo Batumi është ngjitur në kuotën e 62 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë, vetëm një pikë larg kryesueses Iberia 1999, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Kur kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në përfundim të kampionatit, skuadra nga Batumi është në një pozicion të favorshëm për të luftuar deri në fund për titullin. Dy fitore në ndeshjet e mbetura do t’i mjaftonin për ta siguruar matematikisht kurorën, pavarësisht rezultateve të rivalëve.
Sezon fantastik për Uerdi Marën!
Paraqitjet e shqiptarit këtë sezon flasin vetë. Me golin e fundit, Mara ka regjistruar shifra mbresëlënëse:
- 8 gola në kampionat.
- 11 asiste në kampionat.
- 11 gola dhe 12 asiste në të gjitha kompeticionet, përfshirë Kupën.
Këto statistika e bëjnë një prej lojtarëve më produktivë të skuadrës dhe një nga emrat që kanë spikatur në futbollin gjeorgjian këtë sezon.
Në kampionatin gjeorgjian kanë spikatur ndër vite emra të njohur të futbollit europian, si Khvicha Kvaratskhelia, ndërsa këtë sezon vëmendjen e ka tërhequr edhe talenti Andria Bartishvili, për të cilin raportohet interesimi i Arsenalit.
E ardhmja e Marës, mes interesimit europian dhe ofertave nga jashtë
Pas një sezoni kaq pozitiv, e ardhmja e Uerdi Marës pritet të jetë një nga temat interesante të merkatos. Futbollisti shqiptar mund të largohet nga Dinamo Batumi, ndërsa për shërbimet e tij raportohet interesim nga disa klube europiane, amerikane dhe të Lindjes së Mesme.
Një sezon i tillë mund të jetë një trampolinë e rëndësishme për hapin e radhës në karrierën e tij.
Përtej statistikave dhe suksesit në klub, paraqitjet e Marës rikthejnë edhe një herë në vëmendje mundësinë e një ftese nga Kombëtarja Shqiptare.
Uerdi Mara po shkruan një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij dhe tifozët shqiptarë kanë arsye të krenohen me të!


