Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Neviçisht të Korçës, ku një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë pas një konflikti në rrugë. I dëmtuari është identifikuar si Anxhelo Brisku, i cili dyshohet se ka marrë tre goditje me mjet prerës në zonën e shpatullës dhe të kurrizit.
Pas ngjarjes, ai është transportuar në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, 30-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Para bluzave të bardha, Brisku ka deklaruar se është sulmuar nga disa persona, të cilët pretendon se nuk i njeh. Ndërkohë, Policia e Korçës ka bërë me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë një konflikti të çastit në rrugë.
Njoftimi zyrtar i policisë:
“Rreth orës 18:30, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. B., rreth 30 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar me mjet prerës, në rrethana ende të paqarta, gjatë një konflikti të çastit, në rrugë, në fshatin Neviçisht.”
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e plagosjes, si dhe për të identifikuar dhe kapur personat e përfshirë në këtë ngjarje.
