“Nuk ia besoj jetën Ramës nën narkozë”/ Veliaj refuzon operacionin në Fier, i drejtohet GJKKO-së

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë në Spitalin Memorial të Fierit, duke kërkuar që operacioni të realizohet në një spital në Tiranë, të zgjedhur nga familja e tij. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj ka shprehur mosbesim ndaj mundësisë për t’u operuar në një institucion të përcaktuar nga autoritetet, duke e lidhur këtë vendim

me marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama.

Kryebashkiaku thekson se nuk po refuzon trajtimin mjekësor apo ndërhyrjen kirurgjikale, por kërkon të ketë të drejtën të zgjedhë mjekun dhe spitalin ku do të kryhet operacioni. Sipas tij, që të premten në mëngjes i është drejtuar Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar vlerësimin nga një mjek i zgjedhur prej tij dhe kryerjen e ndërhyrjes në spitalin e përzgjedhur nga familja.

Veliaj ka akuzuar gjithashtu makinerinë e komunikimit të kryeministrit se po e përdor edhe çështjen e shëndetit të tij për sulme publike, ndërsa shprehet se pret vendimin e gjykatës për kërkesën e paraqitur.

Reagim i kryetarit Veliaj:

E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar. Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?

Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.

Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.