Shaban Brika, protestuesi që është kthyer në një nga personazhet më të spikatura të protestës para Kryeministrisë, ka denoncuar kërcënime të përsëritura nga Policia, për shkak të mbajtjes së flamurit kombëtar shqiptar gjatë tubimit.
Në një prononcim për News24, Brika pretendoi se një drejtues policie e ka paralajmëruar 3-4 herë se do ta arrestojë, pa i dhënë asnjë shpjegim apo argument për këtë kërcënim.
Ai theksoi se flamuri kuqezi ka një domethënie të veçantë emocionale për të, pasi i kishte munguar gjatë viteve që ka jetuar në emigrim.
Brika tregoi se është kthyer posaçërisht nga Anglia për të marrë pjesë në protestë dhe për të valëvitur flamurin shqiptar, duke mohuar kategorikisht pretendimet se mund të jetë paguar për këtë veprim.
“Kam ardhur nga Anglia vetëm për këtë flamur”, u shpreh protestuesi, duke nënvizuar se motivimi i tij lidhet vetëm me ndjenjat patriotike dhe lidhjen që ka me Shqipërinë.
Ai përsëriti akuzat ndaj efektivëve të Policisë, duke pretenduar se është kërcënuar disa herë me arrestim për shkak të simbolit kombëtar që mban në duar.
