Nga kori “Lira” te Banda e Qytetit, Pandi Bello – personaliteti që formësoi breza artistësh në Korçë, feston ditëlindjen!

14 nëntori shënon ditëlindjen e një prej figurave të njohura të jetës muzikore dhe kulturore të Korçës, Pandi Bello, muzikologut, studiuesit, pedagogut dhe dirigjentit me një kontribut të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare.

I lindur në Voskopojë të Korçës, ai e ndërtoi rrugëtimin e tij profesional mbi dashurinë për muzikën, studimin dhe përkushtimin ndaj edukimit artistik.

Pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve dhe specializimeve në kritikën e artit e muzikologji, në vitin 1991 fitoi gradën shkencore Doktor i Shkencave në Muzikologji.

Përgjatë karrierës së tij, Pandi Bello ka dhënë një kontribut të veçantë në pasurimin e jetës artistike të Korçës. Drejtimi i korit “Lira” dhe i Bandës së Qytetit, si dhe angazhimi shumëvjeçar në Shkollën e Mesme Artistike “Tefta Tashko Koço”, dëshmojnë përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të talenteve të reja dhe përcjelljes së traditës muzikore ndër breza.

Si studiues, dirigjent, pedagog dhe drejtues institucionesh kulturore, ai mbetet një emër i lidhur ngushtë me identitetin dhe trashëgiminë artistike të Korçës.

Në këtë ditë të veçantë, i urojmë Pandi Bellos shëndet, jetë të gjatë, mbarësi dhe sa më shumë vite të bukura pranë familjes dhe njerëzve të dashur!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.