Një 85-vjeçare është gjetur e pajetë në lumin Devoll, pranë fshatit Kuç. Dyshimet paraprake janë se e moshuara është mbytur në lumë, ndërsa policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas njoftimit të policisë, e moshuara ishte larguar nga banesa mëngjesin e sotëm, ndërsa familjarët kishin nisur kërkimet për gjetjen e saj.
Rreth orës 14:00, 85-vjeçarja me inicialet F. M. është gjetur pa shenja jete në lumin Devoll.
Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Ndërkohë, sipas policisë, e moshuara vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
