Korçarët ikin, pushtetarëve lokalë nuk u pikon çatia – Ata vazhdojtë të mburren me turizmin Korçar!

Korça është kthyer në një nga emrat më të përmendur kur flitet për turizmin në Shqipëri. Fotot e Pazarit të Vjetër, rrugicat me kalldrëm, serenatat, birra, festat dhe atmosfera karakteristike janë kthyer në kartolina që promovojnë qytetin. Çdo fundjavë flitet për turistë, hotele të mbushura dhe restorante plot.

Por, përtej kësaj fasade të bukur turistike, lind një pyetje që nuk duhet shmangur:

Po korçarët ku janë?

Një qytet nuk mund të matet vetëm me numrin e turistëve që e vizitojnë, por mbi të gjitha me mundësinë që u krijon banorëve të vet për të jetuar, punuar dhe ndërtuar të ardhmen aty.

Të dhënat e Censusit 2023 tregojnë se Bashkia Korçë kishte 60.754 banorë. Ku hunbi rreth 16 mije banore brenda 1 dekade. Ndërkohë, gjatë vitit 2024, Korça regjistroi shtesë natyrore negative prej 394 personash dhe migrim të brendshëm neto negativ prej 148 personash.

Pushtetarëve lokalë duket se nuk u pikon çatia.

Mjafton të shohim realitetin përtej qendrës së qytetit. Sa të rinj janë larguar? Sa familje nuk shohin më perspektivë në Korçë? Sa biznese të vogla luftojnë për të mbijetuar? Sa fshatra po humbasin çdo vit zërat e fëmijëve dhe gjallërinë e dikurshme?

Nuk mjafton të zbukurosh Pazarin e Vjetër, të organizosh festivale dhe të ndezësh dritat për festat e fundvitit. Këto janë aktivitete që kanë vlerën e tyre, por nuk mund të zëvendësojnë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e banorëve.

Turizmi është një mundësi e madhe për Korçën, por ai duhet të shndërrohet në vende pune të qëndrueshme, paga dinjitoze dhe mundësi për të rinjtë që të mos detyrohen të largohen.

Nuk mund të mburremi vetëm me turistët që vijnë 1 apo për dy ditë, ndërkohë që familjet korçare largohen për të ndërtuar jetën diku tjetër. Nuk mund të flasim për suksesin e qytetit vetëm përmes hoteleve të mbushura, kur duhet të flasim edhe për shkollat që kanë gjithnjë e më pak nxënës, për shtëpitë që mbeten bosh dhe për mungesën e perspektivës.

Përgjegjësia e pushtetit vendor nuk është vetëm të promovojë qytetin, por të krijojë kushte që njerëzit të mos e braktisin atë. Qytetarët kanë nevojë për investime reale, punësim, infrastrukturë, shërbime publike dhe një plan zhvillimi që shkon përtej sezonit turistik.

Korça nuk është vetëm Pazari i Vjetër, serenatat dhe festa e birrës. Korça janë njerëzit e saj!

Dhe nëse këta njerëz vazhdojnë të ikin, atëherë duhet të pyesim veten: për kë po e zhvillojmë këtë qytet dhe kujt do t’ia lëmë gjithë këtë bukuri?

Mund të kemi turistë, mund të kemi fotografi të bukura dhe mund të mburremi me suksesin e turizmit. Por një qytet pa rininë e vet, pa familjet e veta dhe pa shpresën për të ardhmen, nuk mund të quhet qytet në zhvillim.

ZOTI PUSHTET, MOS SHIKO VETËM SA TURISTË VIJNË NË KORÇË. SHIKO EDHE SA KORÇARË PO LARGOHEN!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.