Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është ndarë sot nga jeta në moshën 86-vjeçare në spitalin San Raffaele në Milano. Berlusconi ishte diagnostikuar më parë me leucemi dhe ishte shtruar në spital në prill me probleme me frymëmarrjen. Një manjat i diskutueshëm mediatik i Mediaset ,Berlusconi ka shërbyer tre mandate si kryeministër i Italisë, së fundmi midis 2008 dhe 2011, përpara se të tërhiqej nga politika për gjashtë vjet pas një dënimi për mashtrim tatimor.
Ai u kthye në politikën e vijës së parë në vitin 2022, kur fitoi një vend në Senatin e Italisë, duke përfaqësuar komunën veriore të Monzës.
Në mëngjes, vëllai i tij Paolo dhe fëmijët e tij kishin shkuar me urgjencë në spital, ku tashmë ndodhej Marta Fascina. Është e vështirë të imagjinohet një Itali pa Silvio Berlusconin. Në pesëdhjetë vitet e fundit nuk ka pasur asnjë ditë që emri i tij të mos përmendet, në TV, në gazeta, në Parlament, në lokale, në stadium; “il Berlusca” ka përçarë opinionin publik si një mollë sherri….
Kontraktor ndërtimi, manjati televiziv, president i Milanit dhe më pas i Monzas, themelues i një partie të quajtur Forza Italia, tre herë kryeministër, i pandehur në gjyqe të bujshme. Gjithçka tek ai ishte e tepruar, biri i teprimit. Në një moment, popullariteti i tij ishte i tillë që në botë identifikohej me gjykatën italiane…
Milena Deraj, është 30-vjeçarja që u vu në pranga ditën e sotme nga policia e Tiranës. 30-vjeçarja ka mashtruar pjestarë të familjes Verracaku se do t’i ndihmonte në një proçes gjyqësor dhe shoqen e saj se do merrte bono thesari në Bankën e Shqipërisë,…..rezulton të jetë punonjësja e Kuvendit të Shqipërisë. Deraj, arriti të mashtronte shoqen e saj, biznesmene në Delvinë, me 230 mijë euro me qëllim që ta ndihmonte të merrte bono thesari. Me paratë e marra përmes mashtrimit, ajo ka blerë një shtëpi në Tepelenë.
Milena Deraj u ka marrë Hasan Verracaku, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku, shumën prej 340 mijë eurove me pretendimin se do t’i ndihmonte në gjyq. Ndërkohë, si ish-punonjëse e Bankës së Shqipërisë ajo ka mashtruar shoqen duke i marrë shumën prej 230 mijë euro në këmbim të bonove të thesarit.
Kur shoqja e saj e ka kuptuar se ishte mashtruar dhe nuk po merrte bonot në këmbim të parave është paraqitur në polici për të denoncuar rastin. Nga ana tjetër, në polici është paraqitur edhe Milena Deraj, e cila ka pretenduar se është kërcënuar dhe kanosur nga Verracakët. Këta të fundit, e provuar nga hetuesit, kanë zbuluar se kërcënimet janë bërë sidomos nga djali Abedin Verracaku, i cili i ka shkruar mesazhe kërcënuese.
Më pas, Policia ka shpallur në kërkim Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku dhe Hasan Verracaku (babai dhe dy djemtë), të tre banues në Shkodër, pasi me vetëgjyqësi kanë kanosur Milena Derajn, për kthimin e parave.
Ish-deputetja e PD, Rudina Hajdari në një intervistë për Panorama Tv ka komentuar humbjen e opozitës në zgjedhjet e 14 majit, ku tha se priste një rezultat tjetër pasi PD erdhi me figura të reja në garën për kryebashkiakë. Hajdari tha se ka gabuar kur braktisi zgjedhjet lokale dhe bojkotoi parlamentit, pasi ia la terrenin e hapur mazhorancës duke e përqendruar pushtetin në duart e një njeriu të vetëm.
E prisnit rezultatin e 14 majit?
Prisja një rezultat më të mirë duke marrë parasysh konsumimin e pushteti aktual dhe që kemi patur njerëz të rinj në bashki, prisja që në qytete të rëndësishme të kishte ndryshim. Rezultati tregoi se ishte i vështirë dhe i rëndë për demokratët që nga lindja e PD.
Bojkotimi i zgjedhjeve lokale dhe bojkotimi i parlamentit, ishin lëvizje dëmtuese për PD dhe opozitës pasi qytetarët humbën besimin dhe respektimin pasi këta nuk patën guximin për t’u përballur. Opozita të qëndronte për të treguar një alternativë dhe të përfaqësonte njerëz, por nuk u bë dhe ia la terrenin Edi Ramës dhe pushtetet. Edhe fakti që unë jam pro që ka pasur abuzime, gjithmonë ka pasur por opozita duhet të ndryshojë qëndrim.
Arsyeja primare është një lloj menefregizmi që shqiptarët i treguan politikanëve, pjesa e militantëve kur ka pjesëmarrje të ulët tregon se shumë njerëz ishin të dekurajuar dhe të konfuzuar se çfarë po ndodh me PD dhe të painteresuar në këto zgjedhje. Bojkotim që ata i bënë partisë dhe figurave të vjetra që nuk po sjellin frymëzim dhe shpresë. Mendoj që kjo është një reagim i drejtës, i dhanë mesazh të duhur politikës.
Ka një braktisje të vendit, jemi përballë shumë sfidave dhe mendoj se shumë demokrat janë larguar pasi nuk kanë pasur pushtet dhe bojkotimi i zgjedhjeve solli problem të madh. Mendoj që shumë prej demokratëve janë larguar, emigrimi është rritur. Faktor tjetër ka të bëjë me komunikimit, duhet të jetë tjetër dhe të apelojë te qytetarët dhe të shihet që PD po ecën drejt një vizioni të ri.
Qeveria ashpërson qëndrimin për personat e dhunshëm në familje dhe ata që kryejnë krime ndaj të miturve. Përballë shifrave shqetësuese të dhunës ndaj grave, një projektligj i dorëzuar në parlament nga Ministria e Drejtësisë kërkon votat e deputetëve , për ti hequr te drejtën e zbritjes së dënimit autorëve dhunues. Konkretisht në ndryshimet e propozuara, kushdo që do të akuzohet për dhunë në familje, nuk ka të drejtë të kërkojë gjykim të shkurtuar e për rrjedhojë nuk fiton një të tretën e uljes së dënimit.
Gjithashtu, kushdo që vret një fëmijë dënohet me burg të përjetshëm .Ky ndryshim në kodin e procedurës penale sugjerohet mbas këshillimit kombëtar në të cilin qytetarët kanë kërkuar ashpërsim të ligjit penal .
Pas kësaj aktorët e drejtësisë si Prokuroria e Përgjithshme, KLP , KLGJ, Ministria e Brendshme ranë dakord për heqjen e institutit të gjykimit të shkurtuar për krimet e mësipërme, me argumentin se kjo masë ligjoreshërben për parandalimin e kriminalitetit ndaj grave dhe fëmijëve dhe jep një drejtësi efektive
Dan Hutra ishte rasti tipik i një burri që pasi kishte vrarë bashkëshorten e parë, ai dhunoi edhe të dytën dhe shfrytëzoi të drejtën e gjykimit të shkurtuar. Kur doli nga burgu ai vrau sërish. Nëse ky ligj votohet në Parlament, mesazhi i qeverisë është, kushdo që ngre dorë ndaj një gruaje apo vret një fëmijë, nuk ka tolerancë dhe falje nga ligji./Top Channel
Spektakli madhështor i bukurisë “Miss Shqipëria” ka mbushur plot 25 vite. Producentë e themelues të këtij kompeticioni, Alda Bidaj dhe Petri Bozo kanë folur këtë të Shtunë në studion e “Rudina” në Tv Klan për rrugëtimin e jashtëzakonshëm në vendet më piktoreske të Shqipërisë dhe gjithë punën e madhe. Por teksa flitej për peripecitë e fillimit, u diskutua dhe për operacionet plastike dhe sa shumë kanë ndryshuar vajzat e viteve 2000 me sot. Petri shprehet në mënyrë absolute pro bukurisë natyrale, ndërsa Alda thekson se ajo është çështje zgjedhjesh personale.
Petri Bozo: Pasi bëjnë operacionet e gjërat, me trurin e tyre…Zgjohen në mëngjes dhe thonë “unë kam lindur kshu”, si ke lind kshu ti mi?! Ti ke qenë ashtu, ke qenë kjo gjëja e vyshkur kështu dhe pastaj të kemi zbukuruar ne.
Alda Bidaj: Petri i shikon shumë bardh e zi gjërat dhe shpesh kemi debate me njëri-tjetrin. Tani për hir të së vërtetës, le të kthehemi vite e vite përpara. Sigurisht me kalimin e kohës evoluon edhe e bukura, është një fat shumë i madh që të gjitha vajzat e bukura kanë mundësinë të kurohen, të jenë gjithnjë e më të bukura dhe të mbeten të freskëta. Ajo që është e bukur dhe që vlen shumë është…Ty të ndryshon edhe mënyra e grimit, pra nëse një vajzë 17-vjeçare në vitin 2000 kishte një grim fare të thjeshtë, sot është një zonjë shumë më e bukur…
Petri Bozo: Pse është kjo zonjë e pabome? Edhe vazhdon të jetë zonjë? (I drejtohet Aldona Elezit) E pra këtë po themi tashi…
Alda Bidaj: Është çështje zgjedhjesh.
Petri Bozo: Unë jam kundër, o zemër unë jam për bukuri natyrale! Ç’janë këto të bëra kështu me operacione?! (Të qeshura në studio)
Rudina Magjistari: Doli moda me vetulla të trasha, i lanë të gjitha. Po hollove vetullën dukesh njeri tjetër.
Alda Bidaj: E rëndësishme është që vendimet për pjesëmarrjen e vajzave apo qoftë dhe për festën që kemi përfunduar, nuk i mer zoti Bozo.
(Të qeshura)
Ne jemi një staf që punojmë bashkë, marrim vendime bashkë dhe sigurisht këto debatet që njerëzit po i shohin këtu ne i kemi të vazhdueshme.
Rudina Magjistari: Petrin e njohim të gjithë dhe e kemi shumë xhan.
Alda Bidaj: Petri vdes për të nxitur debat./tvklan.al
Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur që nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës mund të hyjnë në këtë shtet pa vizë. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është pjesë e Zonës Schengen. Në prill, Bashkimi Evropian vendosi që shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet anëtare të bllokut, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Këshilli Federal tha përmes një njoftimi se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat për heqjen e vizave, në kuptim të sigurisë, kontrolleve kufitare dhe të menaxhimit të migracionit. Të gjithë shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në Zvicër vetëm me pasaportë biometrike dhe mund të qëndrojnë deri në 90 ditë. Kjo kohëzgjatje vlen edhe për qëndrimin në 27 shtetet e BE-së.
Këshilli Federal i Zvicrës bëri të ditur se nëse shtetasit e Kosovës duan të punojnë në këtë shtet, ata duhet të pajisjen me vizë pune. Sipas njoftimit, shtetasit kosovarë mund të punojnë në Zvicër vetëm nëse janë profesionistë të kualifikuar apo nëse nuk ka punëtorë ekuivalentë në tregun zviceran të punës. Zvicra njeh pavarësinë e Kosovës dhe në këtë shtet ka një diasporë të madhe kosovare./REL/
Quhet Sindi Manushi. Është vajzë shqiptare me origjinë nga Elbasani. Ajo u zgjodh kryebashkiake në një qytet të Italisë. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, për të cilat e 31-vjeçarja shqiptare ka dhënë edhe një intervistë. Ajo do të jetë kryebashkiake e Pieve di Cadore, në zonën Belluno, Itali, në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën. E reja shqiptare u zgjodh në krye të Bashkisë duke pasuar kështu paraardhësin Giuseppe Casagrande.
Në rrëfimin e saj ajo ka treguar që ka emigruar në Itali me familjen e saj në moshën 9-vjeçare dhe para se të hynte në zgjedhje punonte si avokate. Ajo ka thënë gjithashtu se kurrë nuk e mohon origjinën e saj shqiptare.
Pyetje: Sindi Manushi, një fitore historike për të dhe listën e saj. Si ndiheni?
Manushi: Ishte një shqetësim të dielën, kur njerëzit nuk shkonin të votonin: ne nuk flinim dhe më pas gjërat shkuan më mirë të hënën, veçanërisht falë të moshuarve dhe arritëm kuorumin prej 48.31%.
Pyetje: Mund të na tregoni historinë tuaj? Ju jeni në Itali që në moshën 9-vjeçare. Ndihesh italiane?
Manushi: Jam krenare për origjinën time shqiptare, por kam një kohë të gjatë në Itali dhe ndihem me të gjitha një qytetare italian. Unë kam jetuar gjithmonë në Pieve di Cadore, përveç një paranteze universitare në Trento, për të përfunduar studimet për drejtësi.
Pyetje: Si ishte mjedisi në Itali?
Manushi: Fillimisht e vështirë, pati një periudhë hutimi. Vijmë nga një vend shumë i ndryshëm nga Italia dhe mbi të gjitha nga një qytet industrial, Elbasani. Lëvizja nga Elbasani në Pieve ishte një tronditje dhe mund ta imagjinoni pse. E mbaj mend shumë mirë jetën e parë, për mua ishte një risi absolute.
Pyetje: Cilat ishin vështirësitë më të mëdha?
Manushi: Përshtatja me zakonet e Pieve, gjuha italiane. Edhe nese në Shqipëri transmetohen kanalet italiane. Që fëmijë kam qenë gjithmonë e apasionuar pas lajmeve dhe politikës, jam rritur edhe me Carrà-n dhe Sanremon.
Pyetje: Si u pritët fillimisht nga komuniteti?
Manushi: Ne e kemi zbritur disi mosbesimin. Banorët e Pieve janë malësorë, të tillë janë, duhet të kuptojnë kush je, çfarë bën, duhet të të kornizojnë dhe të kuptojnë. Ne e studiuam pak, pastaj gjithçka shkoi tatëpjetë. Aq sa nuk do të ndalem së falenderuari fqinjët, të cilët më ndihmuan mua dhe vëllain tim Dgersi në detyrat e shtëpisë.
Pyetje: Kështu që në fund Pieve ju përshëndeti.
Manushi: Kur e kuptuan se ishim njerëz të ndershëm, na pritën dhe na trajtuan shumë mirë.
Pyetje: Marrëdhëniet me prindërit?
Manushi: Kanë punuar dy-tre punë për të na mbështetur, i falënderoj. Punonim gjatë gjithë kohës, përveshnim mëngët.
Pyetje: E prisnit që një ditë të bëheshit kryetare bashkie?
Manushi: Nuk ishte në perspektivë. Unë kam qenë gjithmonë e apasionuar pas politikës, si një interes i pastër për çështjet publike. Por jo, nuk ishte në plane. Më pas para disa muajsh lindi kjo ide dhe lindi “Pieve futuro”.
Pyetje: Si do të përpiqeni që të ndryshojë Pieve?
Manushi: Unë shoh një Pieve shumë të përgjumur dhe një strukturë sociale të prekur nga pandemia. Kemi humbur disi sensin e komunitetit dhe kultivohen më shumë individualizmat, për fat të keq një prirje kombëtare. Pieve ka spikatur gjithmonë si një qendër grumbullimi, dua që ajo të bëhet sërish një.
Manushi: Jo unë, por i gjithë grupi im. Nuk kemi bërë premtime të mëdha. Ne duam të jemi një urë komunikimi mes Bashkisë dhe qytetarisë. Administrata ime do të bazohet në dialog.
Pyetje: A do të vazhdojë të ushtrojë profesionin e saj si juriste?
Manushi: Unë bëj të drejtën e korporatës, civile. Po, nuk do të heq dorë nga profesioni im. Me siguri do të ketë një periudhë përshtatjeje dhe do të më duhet të kuptoj në aspektin kohor se sa do të marrë për qytetarët e mi. Sigurisht që prioriteti im do të jetë tek ata.
Pyetje: A keni qenë ndonjëherë viktimë e racizmit? Në prag të votimit, dikush grisi një nga posterët elektoral…
Manushi: Më thanë jam shqiptare, jam grua, jam shumë e re. Ka pasur disa episode të pakëndshme, por në përgjithësi dua të nënvizoj gjithçka që më ka dhënë Pieve di Cadore, që është shumë. “Pieve futuro” ka lindur për të bashkuar, jo për të ndarë.
Pyetje: A mund ta përkufizojmë Pieve di Cadore si një lloj laboratori politik?
Manushi: Unë do të thosha po. Shpresoj se mund të funksionojë, ndoshta mund të përsëritet në një shkallë më të madhe, por ndërkohë le të bëjmë hapin e parë, që është shumë i rëndësishëm.
Shqipëria renditet ndër vendet që ka numrin më të lartë të të burgosurve në raport me popullsisë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat. Në vitin 2021, Shqipëria kishte 202 të burgosur për 100 mijë banorë, e dyta në rajon pas Malit të Zi (214.7). Nivelin më të ulët e ka Serbia me 166 të burgosur për 100 mijë banorë. Të dhënat për Maqedoninë e Veriut janë të vitit 2017, kur treguesi ishte 122, ndërsa Kosova në vitin 2020 kishte 143 persona të mbyllur brenda për 100 mijë banorë.
Në Shqipëri, rekordi u arrit në 2018-n, tregojnë të dhënat e Eurostat, me 217.3 të burgosur për 100 mijë banorë.
Europa
Në Europë, rekordin e mban Turqia, që ka në burgje 323 persona për 100 mijë banorë. Në vitin 2021, kishte 475 038 të burgosur në BE, shifër ekuivalente me 106 të burgosur për 100 000 njerëz. Shkalla e të burgosurve u rrit, pas një rënie në vitin 2020 (104 të burgosur për 100 000 njerëz), por mbeti shifra e dytë më e ulët, që nga fillimi i shekullit.
Normat më të larta të të burgosurve për 100 000 persona në vitin 2021, ishin në Hungari dhe Poloni (191 secila), ndjekur nga Sllovakia (185). Normat më të ulëta ishin në Finlandë (51), Slloveni (54) dhe Holandë (65).
Në 14 nga 26 vendet e BE-së që ofruan të dhënat e tyre, shkalla e të burgosurve u rrit në krahasim me vitin 2020. Tetë vende të BE-së kishin burgje të mbipopulluara në vitin 2021. Në vitin 2021, 8 vende të BE-së kishin qeli të mbipopulluara në burgjet e tyre, ndërsa 17 vende kishin kapacitet shtesë. Shkalla e popullimit të burgjeve, është numri i të burgosurve në raport me kapacitetin zyrtar (kapacitetin e projektuar) të burgjeve, shumëzuar me 100.
Mbipopullimi ndodh kur shkalla e zënies kalon 100, gjë që tregon se ka më shumë të burgosur, se sa struktura ishte parashikuar të mbante. Normat e popullimit u vunë re në Qipro (146), Rumani (116), Francë (114), Greqi dhe Itali (108 secila), Suedi (102), Kroaci dhe Danimarkë (të dyja 101). Normat më të ulëta të popullimit të burgjeve u regjistruan në Maltë (65), Estoni dhe Letoni (66 secila). Në 14 nga 25 vendet e BE-së, që ofruan të dhëna në vitin 2021, shkalla e popullimit të burgjeve u rrit në krahasim me vitin 2020, kur rënia u bë e mundur nga masat e lidhura me COVID-19. / Eurostat
Shqipëria ka bërë revolucion në ofrimin e shërbimeve publike online, por ai po gjen pak përdorim nga moshat e vjetra. Teksa qeveria shqiptare ka çuar në kanalet dixhitale gati 95 për qind të shërbimeve të saj, nga ana tjetër njohuritë e shqiptarëve dhe aftësitë e tyre për ti përdorur ato janë shumë të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT vetëm 6 për qind e shqiptarëve mbi 55 vjeç ishin në gjendje të shkarkonin dhe të printonin dokumente nga e -goverment me 2022.
Në grupet e tjera të popullsisë përdorimi i E-Albania për shkarkimin e dokumenteve ka qenë më i lartë. Psh rreth 33% e grup-moshës 25-34 vjeç e përdoren e-albania për të shkarkuar dokumente, por përqindja vjen e ulet në grupet më të mëdha të popullsisë. Megjithatë gjatë vitit të kaluar pati një rritje të ndjeshme të familjeve me internet. INSTAT raportoi se 96.5% të familjeve kishin internet me 2022, me një rritje 8 pikë përqindje në raport me një vit më parë.
Në fund të vitit 2019, Qeveria shqiptare vendosi fillimin e “Revolucionit Dixhital të shërbimeve publike”.
Që nga 1 janari 2020, nisi një proces i ri, duke ofruar aplikime për shërbime publike vetëm online për qytetarët dhe bizneset. Në datën 1 maj 2022, filloi jo vetëm aplikimi për shërbime publike, por edhe ofrimi i dokumentit përfundimtar me vlerë ligjore të plotë. Shqipëria tani ofron 95% të të gjitha shërbimeve publike vetëm online me vulë/apo me nënshkrim elektronik në fund.
Deri me 2026 qeveria shqiptare synon dixhitalizim të mëtejshëm të shërbimeve publike.
Planifikohet integrimi i teknologjive të reja si blockchain, inteligjencë artificiale, për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve. Për të rritur numrin e shërbimeve që merren në kohë reale me vulë elektronike synohet të vijohet me investime për dixhitalizimin e arkivave fizike dhe rritjen e numrit të sistemeve elektronike që nder veprojnë me njëra-tjetrën në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.
Ndër sfidat kombëtare është edhe njohja e nënshkrimit dhe vulës elektronike fillimisht në vendet e rajonit, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe bërjes së biznesit me Ballkanin Perëndimor dhe më pas me vendet e Bashkimit Evropian. Në fokus do të jetë edhe përshtatja e platformës e-albania për përdorim dhe nga personat me aftësi ndryshe, të cilët aktualisht hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve publike online./ Monitor
Sot nis faza e dytë e implementimit të hartës së re gjyqësore, ku nuk do të funksionojnë nëntë Gjykata të Shkallës së Parë në rrethe dhe nëntë prokurori. Prej sot (1 Maj), gjykatat e shkallës së parë riorganizohen dhe nga 22 mbeten 13. Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec.
Së bashku me to, pushojnë së ekzistuari edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore. Pas kësaj faze, dosjet e gjykatës së Tropojës transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjës në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.
Faza e parë u aplikua në muajin shkurt kur nga gjashtë apele që ishin në të gjithë vendin, u vendos reduktimi në një Apel kombëtar. Në këtë mënyrë, u shkrinë gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës Korçë dhe Gjirokastër duke bërë që të gjitha dosjet të transferohen në Tiranë.
Faza e tretë do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti kur parashikohet reduktimi i të gjitha gjykata administrative në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.
Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do të jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.
Titaniku u mbyt më 15 prill 1912, rreth 740 kilometra nga vendi më i afërt, dhe anija e parë për ndihmë arriti një orë e gjysmë pas fundosjes, shumë kohë pasi viktima e fundit u mbyt në det. Temperatura e ujit ishte 2.2 gradë celsius, ku mbijetesa njerëzore është vetëm 15 minuta. Kujtojmë që midis të shpëtuarve janë dhe 3-vëllezërit Korçarë. Nga fundosja e Titanikut, humbën jetën 517 njerëz, ndërsa shanset më të larta për mbijetesë patën udhëtarët e klasës së parë, pasi u shpëtuan 63 për qind e tyre.
Në Titanik ishin 20 barka shpëtimi, të cilat mund të mbanin vetëm 1100 pasagjerë, gjysma e atyre që ndodheshin në bord, por kjo ishte në përputhje me rregullat ligjore të asaj kohe dhe u konsiderua e mjaftueshme. Pavarësisht nga kjo, vetëm 700 pasagjerë mundën të hynin në barkat e shpëtimit, shumica e tyre ishin gjysmë të zbrazura dhe në pothuajse secilën prej tyre kishte ende vende të lira.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë me kufomat?
E vërteta në lidhje me këtë është fshehur dhe ata që ishin në dijeni nuk dëshironin të tregonin. Por, pas kaq shumë vitesh del në shesh e vërteta e hidhur se kapiteni i një prej barkave shpëtuese, Mackay-Bennet, donte të tërhiqte të gjitha trupat nga deti.
Por shpejt e kuptoi se barka e tij ishte shumë e vogël për 334 trupa të gjetur. Atëherë u mor vendimi që ata do të hidhnin kufomat e udhëtarëve më të varfër, atyre të klasës së tretë, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për ata që janë në klasën e parë dhe të dytë.
Domethënë, mendimi i ekuipazhit ishte se ata kishin të drejta më të mëdha për një varrim dinjitoz. Nga 334 trupat e gjetura, më shumë se njëqind u hodhën jashtë anijes dhe nuk u gjetën kurrë në Oqeanin Atlantik. E vërteta për atë që ndodhi ishte fshehja e telegrameve sekrete, të cilat më vonë u morën nga historianët nga arkivat e fshehta.
Të drekosh në restorant në Tiranë tashmë të kushton shumë më shtrenjtë se vjet. Çmimet e larta në restorante po rëndojnë jo vetëm xhepat e konsumatorëve, por edhe emocionet e tyre. Përfaqësues të Shoqatës së bareve dhe Restoranteve thanë për Monitor se çmimet në restorante janë rritur 20 deri 30%. Tendenca më e lartë e çmimeve është për restorantet në zona të caktuara të kryeqytetit si, ish Blloku apo Komuna e Parisit.
Arsyet e shtrenjtimit mbeten rritja e lartë e çmimeve të produkteve furnizuese, pagat e punëtorëve për shkak të mungesës së tyre. Sipas shoqatës së bareve dhe Restoranteve pagat e kamerierëve deri tani janë rritur 30% më shumë. Ata shtojnë se tendenca e çmimeve po normalizohet për strukturat e shërbimit, që deri tani kanë operuar me çmime të ulëta krahasuar me shtetet europiane.
“Në shërbime, si restorante çmimet janë rritur 20 deri 30% nga shtrenjtimi pa fre i mallrave furnizuese dhe rrogat mbi 30% të punonjësve të shërbimit, që nuk gjenden. Pra është reflektim i gjithë faktorëve që kanë rënduar këtë sektor. Gjithashtu deri më sot restorantet kanë funksionuar me njerëz që nuk janë të sektorit dhe çmime të ulëta. Çmimet po shkojnë drejt nivelit që të drekosh në restorant nuk është më lirë se sa të drekosh në shtëpi. Pra po shkohet drejt një normaliteti të tregut”, pohuan përfaqësues të shoqatës.
Sakaq Shoqata e bareve dhe Restoranteve kishte paralajmëruar më herët se nga marsi pritet rritje e fortë çmimeve, për shkak të kostove të larta nga rritja e pagave dhe shtrenjtimi i mallrave furnizuese.
Sektori i shërbimit të bareve dhe restoranteve, si edhe sektorë të tjerë të ekonomisë po vuajnë problematikën e mprehtë të fuqisë punëtore. Për sektorin e bareve dhe restoranteve sipas të dhënave të shoqatës ka një mungesë prej 15,000 punonjësish, ku shkaku kryesor i vakancave të burimeve njerëzorë, është largimi i popullatës në emigracion. Deri në 2019 sipas të dhënave të INSTAT të punësuar në bare dhe restorante ishin rreth 45,000 persona, ku megjithatë vlerësohet se sektori ka informalitet të lartë.
Krizën e fuqisë punëtore sektori e vuajti edhe periudhën e verës, ku shumë bare dhe restorante të zonave bregdetare u detyruar të punësojnë punonjës nga vendet e rajonit si Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia e Veriut, si dhe të rrisin pagat e vendaseve.
Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimet vjetore, për grupit bare, restorante (katering) ka shënuar rritjen më të lartë gjatë muajve të fundit të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT raporton të dhënat. shtrenjtimi më i fortë ishte në periudhën gusht- nëntor 2022, me mbi 6%.
Në vend, sipas INSTAT ka rreth 15 mijë subjekte që ushtrojnë aktivitet në shërbimin ushqimor dhe pije, por rreth 70% e tyre janë barë, që shërbejnë vetëm pije. /Monitor
Një 22-vjeçar shqiptar është dënuar me 16 muaj burg në Britani, pasi është kapur në një ‘fermë’ kanabisi.“Jam i lumtur që u arrestova. Puna këtu është e mjerueshme”, tha Erald Abmetaj pasi u ndalua nga policia britanike. Mediat e huaja shkruajnë se Ahmetaj është arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar dhe u gjet në një ‘shtëpi’ bari. Gjatë kontrollit fizik në ambient, policia gjeti dhe sekuestroi 481 bimë kanabisi.
22-vjeçari, i cili e cilësoi punën si ‘të mjerueshme’, kishte mbërritur në Britani pak muaj para se të arrestohej. Abmetaj iu ofruar puna si ‘fermer’ pasi mbërriti në Londër dhe u gjet i pastrehë. Detyra e tij konsistonte në ujitjen e bimëve dhe përkujdesje. Abmetaj u dënua nga drejtësia britanike me 16 muaj burg.
Mira, nëna e 22-vjeçares Erisilda Abedini, që të gjithë e njihnin si Sisi, një nga tre të rinjtë që humbën jetën në aksidentin tragjik të rreth rrotullimit të TEG-ut, ëndërronte një të ardhme të ndritur për vajzën e saj të vogël. Ajo kishte pasion dhe dëshironte botën e televizionit, sepse Zoti e kishte bekuar me bukurinë për të qenë një yll.Por fati i keq i trokiti në derë Mirës, punonjëses së policisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila atë pasdite të kobshme për të si nënë ishte si zakonisht në ritualin së punës me turne, një punë që e bën prej 16 vitesh në Tiranë.
Si u gjend vajza juaj në makinë “Audit A8” që drejtohej nga 20-vjeçari i ndjerë, Klevis Ruçaj? Me cilin nga dy personat kishte miqësi?
E vërteta është se shoferi me vajzën që ndodheshin në makinë ishin kushërinj të parë (fëmijë tezesh). Ata ktheheshin nga Elbasani dhe kanë kaluar në TEG, dhe e kanë marrë vajzën time me makinë për të ardhur në shtëpi. Vajza në atë makinë u gjend, se shoferi ishte kushëriri i vajzës tjetër që njihej me vajzën time, e që mbeti po ashtu viktimë nga tragjedia.
Ishe në dijeni se ku do shkonte atë ditë, dhe kur folët për herë të fundit?
Unë jam prej 16 vitesh punonjëse policie pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kam folur në drekë me vajzën, kur jam nisur për punë pasi atë ditë isha turni i dytë. Vajza ime Sisi do të shkonte në TEG për të blerë një bluzë, për të cilën ia dhashë unë lekët.
Si u përballe me lajmin tragjik, të njoftuan apo e mësove nga mediat?
Duke qenë se isha në punë, unë aksidentin s’e kisha parë në media. Atë pasdite e mora vajzën në telefon, por s’arrita do të kontaktoja se nuk e hapi telefonin. Kur kam shkuar në shtëpi, shoh që nuk ishte vajza as në shtëpi. E mora sërish në telefon, por nuk mora përgjigje. Ndërkohë më telefonon shoqja ime, dhe më thotë: “Ku je? “Sa mbërrita shtëpi,- i thashë”. “Do vish me mua të shkojmë në një vend”, – më tha. Ok, i thashë, po çfarë halli ke?. “Flasim nga afër”- më tha…
Telefoni i vajzës dilte i hapur?
Po, telefoni binte deri në orën 23:00 që e kam provuar, edhe kur unë isha para morgut.
Jeni takuar me familjarët e djalit që shkaktoi aksidentin, dhe nëse po çfarë ju kanë thënë?
Familjarët e 20-vjeçarit, (që ishte shoferi) nuk di kush janë dhe nga janë.
Çfarë marrëdhënieje kishit me vajzën, ju tregonte për gjithçka për shembull nëse ishte e dashuruar apo në një lidhje?
Vajza nuk kishte shok, as lidhje. Ajo hapej me mua dhe ishim si shoqe.
Vajza juaj kishte ëndrra për të qenë pjesë e botës së televizionit. Çfarë synimesh kishte për të ardhmen?
E donte botën e televizionit, edhe pse u diplomua për laborante dentare. Dhe sa i përket natyrës dhe tipit e kisha si djalë, jo vajzë. Jetonim bashkë në zonën “Don Bosko” në Tiranë, pasi vajza e madhe jeton në Paris (Francë), ku dhe ka krijuar familje. Komunikimi me ju ka qenë i pari. Rrjetet sociale nuk i kam parë se jam e helmuar në shpirt. Nuk kam mundur dot t’i përgjigjem asnjë telefonate, nga miqtë, shoqëria apo kolegët. Nuk mundem, jam e bllokuar totalisht!/story.al
Ora verore do të kthehet të dielën e fundit të marsit, pra më 26 mars 2023. Konkretisht, në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës së datës 26 mars, ora do të ndryshojë dhe të gjithë do të humbasin një orë gjumë, pasi akrepat e orës do të lëvizë një orë përpara, duke treguar 04:00.
Vihet re se në Bashkimin Evropian është ngrirë çështja e heqjes së masës së ndryshimit të orës dhe kalimit mes orës dimërore dhe verore dhe anasjelltas.