Takaj:Të gjithë janë nën kontratë me Skënderbeun dhe nuk ka asnjë shans të largohen pa miratimin tim, duke filluar nga Daja i pari

 

Ardjan Takaj nuk e pengon trajnerin Ilir Daja të largohet në janar, por me një kusht që duhet ta plotësojnë patjetër klubet e interesuara për të. “Kushdo që e ndien veten i madh në Shqipëri, mund të vijë që nesër te Skënderbeu dhe të sjellë lekët. Unë nuk mund të prish punën time dhe të rregulloj punët e Tiranës. Dy pikë më shumë se ne kanë…”. Është kjo përgjigjja që jep presidenti i klubit korçar pas zërave më të fundit që e shikojnë Dajën si trajnerin e ri të Tiranës, por gjithashtu edhe si kandidat potencial për t’u ulur në stolin e Partizanit.

Ardian Takaj

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Takaj sqaron disa çështje, ndërsa nuk lë pas thumbimet për rivalët.

Zoti Takaj, shumë zhurmë për Skënderbeun e pasjanarit, mbi të gjitha për një largim të mundshëm të trajnerit Daja. Çfarë po ndodh realisht?

Më vjen të qesh kur dëgjoj për prapaskena me trajnerin.

Pse?

Po pse, pa zot është Skënderbeu?!

Prandaj ju kontaktuam për të mësuar nga ju planin që keni, qoftë me trajnerin apo edhe lojtarët…

Të gjithë janë nën kontratë me Skënderbeun dhe nuk ka asnjë shans të largohen pa miratimin tim, duke filluar nga Daja i pari. Pastaj, nuk e di se kush i ka ato b… e mëdha që t’i marrë trajnerin Skënderbeut… Keni dëgjuar ndonjëherë në këto tetë vite ju që na ka marrë ndonjë klub trajnerin që kemi pasur në detyrë…?

Të flasim më konkretisht. Jeni në dijeni të një negociate mes Tiranës dhe trajnerit Daja, pasi edhe palët kanë konfirmuar një takim që kanë pasur pak javë më parë…

Me mua s’ka folur njeri. Sa i përket trajnerit, me sa di, ka biseduar për rrogat e prapambetura që i detyrohet Tirana, jo për bashkëpunim. E dini ju si bëhesh i fortë në futboll? Së pari, duhet të kesh lekë shumë. Më pas vjen këtu te ne dhe paguan një shifër që na trondit dhe bindemi që na duhen ata lekë. Në këtë mënyrë mund të marrësh kë të duash te Skënderbeu. Kështu funksionon futbolli, jo me shoqëri.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Dua të them që këtu ecin me idenë që “kam një shok unë dhe do marr Ilir Dajën apo Ilir Bozhiqin te Tirana”. Nuk funksionon futbolli me shoqëri. Cilido klub që e ndien veten i madh në Shqipëri, mund të vijë që nesër te Skënderbeu dhe të thotë: “Urdhëro, na lekët”. Në rast se mua më duhen ata lekë, i marr dhe bëj pazar për këdo që kam nën kontratë. Në të kundërt, askush nuk ikën dhe duhet të presë t’i mbarojë kontrata. Futbolli nuk është me llafe dhe ide që vijnë nga kafenetë për dëshira trajnerësh apo lojtarësh.

Gjithsesi, ju jeni i hapur për ofertat në drejtim të trajnerit…

Shikoni, edhe mua më pëlqen Mesi, madje kam një shok që e ka komshi dhe i ka thënë disa llafe të mira për Skënderbeun, por nuk e marr dot. Klubi i Skënderbeut është serioz dhe mirëpret çdo ofertë serioze. Në rast se del ndonjë i fortë, atëherë e mirëpresim, siç bëri Gent që na mori Olainkën, apo klubi hungarez që bleu Latifin. Në rast se është më i fortë se unë, sigurisht që do të bëjë diferencën. Edhe Daja konsiderohet si lojtar, pasi derisa është pjesë e Skënderbeut me një kontratë profesionale, kështu do të funksionojë edhe për trajnerin. Unë nuk mund të prish punën time dhe të rregulloj punët e Tiranës, Partizanit, Kukësit apo Vllaznisë. Domethënë, kanë halle ata tashmë dhe do t’ua zgjidh unë… Pra, duhet të prish punët e mia dhe të rregulloj të të tjerëve. Pastaj, shikoni pak renditjen aktuale të Superiores.

Po, jeni në zonën “playout” nëse sot do të përfundonte kampionati…

Po, por Tirana është vetëm dy pikë larg nesh. Jemi në një situatë, ku nëse do të mposhtnim Vllazninë, atëherë do të flisnim për kreun sot. Kampionati i këtij sezoni kështu do të jetë deri në fund.

Të flasim pak për lojtarët. Keni marrë oferta konkrete për ndonjë prej tyre që mund ta shisni në janar?

Është e njëjta histori për të gjithë, por deri në momentin që flasim nuk kam diçka serioze për asnjë. Duhet të sqarojmë diçka, që në nivelin aktual ku jemi, të shesësh një lojtar nga kampionati shqiptar drejt një të huaji, unë do ta konsideroja sukses të madh. Të arkëtosh në këtë moment krize është vërtet sukses për ne. Po arritëm të transferojmë ndonjë lojtar jashtë këtë sezon, do ta quaja veten me shumë fat. Ky është qëllimi, në fakt. Konkretisht nuk kemi diçka, edhe pse biseda ka plot. Unë e quaj serioze në momentin kur më vjen oferta zyrtare me letër të firmosur. Bisedimet janë njëra anë, ndërsa shitja diçka tjetër. Që të arrijmë deri te transferimi, është një procedurë e gjatë. Klubet që duan lojtarë nga kampionati shqiptar, i kanë të gjitha mundësitë për të ndjekur cilindo që u intereson. Nuk vendosin më si dikur, ku shikonin ndonjë video në “Youtube” dhe e merrnin. Shumë skautë vijnë dhe shikojnë, por duhet kohë e gjatë për t’u bindur.

Dejvi Bregut i përfundon kontrata në verë. Çfarë do të bëni?

Kemi bërë shumë bisedime me ekipe të ndryshme, por ende nuk kemi diçka që të na e mbushë mendjen. Do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë, por jemi të hapur për shitjen e Bregut. Kontrata i mbaron në maj të vitit 2020. A ka mundësi t’i blejnë të gjithë lojtarët e Skënderbeut…? Kështu funksionon te ne. Nuk i mbajmë lojtarët me zor. Jemi në ato kushte, që kush ka lekë, le të vijë dhe të bëjë ofertë konkrete.Panorama Sport

Advertisement