Mbetet një nga Rilindasit më të pastër përsa i përket ruajtjes së ideve të tij, përhapjes së patriotizmit, njohjes së Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit, njohjes së luftëtarëve të lirisë së asaj kohe dhe veprave të tyre në dobi të kombit. Mihal Grameno lindi në Korçë me 13 janar 1871 dhe vdiq më 5 shkurt 1931. Është një nga emrat që ka dhënë më shumë për Pavarësinë e Shqipërisë: si me armë ashtu dhe me penë.
Për Mëmëdhenë,poezi nga Mihal Grameno
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me pritë.
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit.
Pranë flamurit, pranë flamurit
Me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen’ e babës edhe të burrit
Kemi me vdekur sot burrërisht.
E Drini plak me oshëtima
Mbi Shqipërinë valet po derdh;
Tosk’ edhe Gegë si vetëtima
Armikut bini, se dita erdh.
Ejani burra malit përpjetë
Duke u betuar vdekj’a liri.
Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri!

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
