“Nuk e kam ditur sa e bukur është gjuha shqipe po të mos e dëgjoja të këndohej nga kjo qënie e mrekullueshme si Arlinda“.
Me këto fjalë aktorja rumune Theodora Stanciu ju drejtua publikut që vazhdonte të duartrokiste artistët në skenë.“Ky ishte bashkëpunimi i parë yni bashkë me Teodorën, por ne artistët kemi nevojë për ju publik i dashur që të vazhdojmë e të sjellim emocione, kulturë, art dhe edukim” u shpreh sopranoja Arlinda Morava.

U mbajt në Bukuresht në mbrëmjen e së shtunës së 25 janarit 2020 spektakli me titull “Șapte”(Shtatë).
Protagonistë të kësaj mbrëmjeje ishin 7 artistë midis të cilëve sopranoja shqiptare Arlinda Morava. Nëse ndonjëherë do të duhej të rendisnim artistët që arrijnë të lidhen shpejt me publikun në sallë, me siguri në vendet e para do të renditej Arlinda Morava. Publiku në sallë nuk e kursen simpatinë dhe ngrohtësinë për këtë këngëtare e cila nga ana e saj i mbërthen me lojën e saj skenike.
Intepretimi lirik në gjuhën shqipe Moravës i ndërthurur me interpretimin e aktores rumune Stanciu shoqëruar nga instrumentistët e Kuintetit “Arte”, ishte një emocion më vete. “Kur më vjen burri nga stani” ishte një nga këngët që sopranoja interpretoi dhe që përfshiu natyrshëm publikun në sallë, i cili dukej sikur u familjarizua shpejt edhe me tingellimin shqip.

Me tej Morava interpretoi disa nga këngët e repertorit rumun mbështetur kenget e vjetra te folklorit.
Pjesarët e kuintetit “Arte” që shoqëronin interpretueset janë instrumenistë të Orkestrës së Radios të nderuar me shumë cmime.
I konceptuar në idenë e interpretimit të fjalës poetike, interpretimit vokal dhe atij instrumental shfaqja solli në skenë emocionet e bukura të përjetimit artistik.
Shtatë ishin artistët: Arlinda Morava, Theodora Stanciu, Alexandru Marian, Tiberiu Branga, Iulian Popovici, Bogdan Postolache, Marius Iancu. Shtatë ishin çastet muzikore dhe shtatë frymëmarrje nga krijimtaria poetike e: Rudyard Kipling, Nichita Stănescu, Nina Cassian, Nâzım Hikmet dhe Ion Luca Caragiale.
Shfaqja me titull “Shtatë” u mbajt në sallën “Iosif Naghiu” të Muzeut Kombëtar të Letërsisë Rumune.
Kjo mbrëmje organizohej nga Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune dhe Teatri i Dramaturgëve Rumunë.Burimi opusalb
