Italia në alarm nga koronavirusi/ Shkon në 16 numri i të prekurve. Mbyllen disa shkolla, bare e institucione publike, gati 2 qendra karantine

Ka shkuar në 16 numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Itali, ku 14 prej tyre bë Lombardi dhe dy të tjerë në Padova.

Në Lodigiano një 38-vjeçar është në gjendje të rëndë, ndërsa infektoi gruan shtatzënë dhe po ashtu edhe disa të afërm të tjerë. Ai nuk kishte qenë në Azi, por kishte drekuar me disa kinezë, në një drekë pune.

Pas kryerjes së analizave, rezulton se edhe bashkëshortja e 38-vjeçarit është prekur nga virusi vdekjeprurës.Ajo është në muajin e tetë të shtatzënisë. Gjithashtu është infektuar edhe një i njohuri i tyre si dhe tre persona të tjerë.Ata janë izoluar në spital, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët që jetojnë pranë çiftit të prekur të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë kontaktet.

Kastilione d’Ada, e ndodhur 50 km në jug të Milanos po ashtu edhe Kodonjo e Kazalpusterlengo, ku ndodhen të infektuarit e tjerë kanë mbyllur shkollat, baret, institucionet publike, ndërsa mbi 35 mijë banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi.

Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes Civile ka identifikuar në aeroportin ushtarak San Damiano, në komunën e San Giorgio, strukturën në të cilën do të ndërtojnë spitalin, për njerëzit që do t’i nënshtrohen karantinës.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se nuk ka vend për alarm dhe se vendi ishte përgatitur për këtë. “Deri më tani ne nuk e shohim të arsyeshme pezullimin e Shengen, por do të marrim çdo masë për të mbrojtur shëndetine qytetarëve”, tha ai.

Shifrat e fundit nga Kina bëjnë me dije për mbi 2200 të vdekur dhe mbi 75 000 të infektuar.