Një ditë që nisi në arë dhe përfundoi në mënyrë tragjike. 18-vjeçari Florian Matraku, nga Bulgareci i Korçës, humbi jetën mbrëmjen e djeshme në një aksident tragjik në aksin Korçë-Maliq.
Floriani, djali i vetëm i familjes Matraku, kishte kaluar gjithë ditën duke punuar në tokën e familjes, në punët e korrjes së misrit. Në orët e mbrëmjes, teksa autokombajna po përfundonte punën dhe duhej të dilte nga parcela në rrugën nacionale, i riu doli në rrugë për të ndaluar përkohësisht automjetet.
Ai po përpiqej të krijonte hapësirën e nevojshme që mjeti bujqësor të kalonte në mënyrë të sigurt.
Por pak çaste më vonë ndodhi tragjedia.
Sipas të dhënave të raportuara, para aksidentit 18-vjeçari kishte komunikuar në telefon me motrën e tij, të cilën e kishte uruar për lindjen e djalit. Një moment familjar që do të kthehej tragjikisht në një prej kujtimeve të fundit të familjes për të riun.
Florian Matraku u përplas nga një automjet që drejtohej nga Leonardo Skënderas. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Korçës, por rreth një orë pas aksidentit ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën.
Ngjarja ka tronditur familjen dhe banorët e Bulgarecit, ndërsa policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Aksidenti tragjik rikthen gjithashtu vëmendjen te siguria në aksin Korçë-Maliq. Vetëm tri ditë më parë, në të njëjtën rrugë dhe pranë së njëjtës zonë, një 60-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet, teksa, sipas raportimeve, po udhëtonte drejt Korçës për të shitur qumësht.
Dy aksidente me pasojë vdekjen brenda pak ditësh kanë ngritur shqetësimin për sigurinë e këtij segmenti rrugor.
