Rrugë e re për të hyrë në Tiranë/ 17 km aks që shmang Kamzën, ja nga do të kalojë…

Një aks i ri rrugor pritet të ndryshojë lëvizjen e automjeteve që vijnë nga veriu drejt Tiranës, duke u dhënë mundësi të shmangin kalimin përmes qendrës së Kamzës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e rrugës së re, me një fond limit prej 138.6 milionë lekësh, pa TVSH. Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 11 nëntor për të paraqitur ofertat.

Sipas dokumenteve, aksi do të jetë rreth 17 kilometra i gjatë dhe do të nisë në pjesën jugore të nyjes së Rinasit, në lidhje me autostradën Thumanë–Kashar, për të përfunduar në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e Paskuqanit.

Gjurma që do të studiohet kalon në Valias dhe Zallherr dhe ndërpret aksin Kamëz–Fushë-Krujë. Synimi është që automjetet që vijnë nga veriu të kenë një alternativë më të drejtpërdrejtë drejt kryeqytetit, duke shmangur një nga zonat e ngarkuara me trafik.

Rruga do të krijojë gjithashtu lidhje me drejtimin e autostradës Tiranë–Elbasan dhe Korridorit VIII.

Projekti do të shqyrtojë të paktën dy variante të mundshme të gjurmës, ndërsa njëri prej tyre duhet të marrë në konsideratë përdorimin e rrugëve ekzistuese. Studimi do të përcaktojë edhe nyjet lidhëse, rrugët dytësore dhe ndërhyrjet e nevojshme në zonat e banuara.

Në projekt parashikohen edhe mbikalime për këmbësorët, ndriçim pranë nyjeve dhe zonave të banuara, si dhe masa për rritjen e sigurisë rrugore.

Ndërkohë, gjatë procesit do të identifikohen pronat që preken nga aksi dhe do të përllogariten shpronësimet. Edhe kostoja e ndërtimit të rrugës do të përcaktohet pas përfundimit të studimit dhe projektimit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.