Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Durrës, ku një shtetase britanike është gjetur pa shenja jete në apartamentin që kishte marrë me qira në lagjen nr. 1 të qytetit. Bëhet fjalë për 26-vjeçaren Eferne Josephine King, e cila kishte mbërritur në Durrës së bashku me djalin e saj rreth 2 vjeç. Ajo kishte marrë apartamentin me qira përmes Airbnb për tre net dhe ditën e ngjarjes pritej të largohej.
Sipas të dhënave paraprake, pasditen e sotme në banesë ka hyrë pastruesja, e cila ka gjetur gruan pa shenja jete. Pranë saj ndodhej edhe fëmija i vogël, i cili fatmirësisht ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Në apartament, pranë shtratit ku u gjet 26-vjeçarja, janë konstatuar edhe disa medikamente. Nga këqyrja paraprake nuk janë evidentuar shenja dhune në trup.
Policia bëri të ditur se rreth orës 12:50, në një apartament në lagjen nr. 1, shërbimi i Urgjencës ka gjetur pa shenja jete shtetasen angleze E. S., ndërsa fëmija i saj rreth 2 vjeç është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet pas ekspertizave mjeko-ligjore.
