As edhe një pandemi globale nuk mundi ta ndalojë një çift italian që të lidhte kurorë këtë fundjavë. Tatiana Datolla dhe Armando De Rosa u martuan të shtunën nga një zyrtare e Bashkisë në Romë, në një ceremoni që kishin rezervuar një vit më parë. Të gjithë ishin të veshur me maska.Familja e De Rosa, për shkak të udhëtimit që do t’i duhej të bënte nga Napoli në kryeqytetin italian kishte planifikuar një festë e madhe familjare.
Por të gjitha bizneset dhe aktivitetet jo thelbësore, siç dihet tashmë, janë ndalur prej javësh në vend në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Megjithatë, zyrtarët në Bashkinë e Romës kanë bërë një përjashtim për këdo që rezervoi një ceremoni civile martese para se të fillonte izolimi, thotë “Euronews”.
Çifti u martua në Santa Maria në Kishën Tempulo, rrethuar me karrige boshe. Aty u lejuan vetëm dy të ftuar: shoqëruesja e nuses dhe shoqëruesi i dhëndrit. Nusja i rregulloi vetë flokët e saj dhe gjeti disa lule të rreme. Për fat të mirë, e kishte blerë veshjen e saj paraprakisht.”Më vjen keq për atë që po ndodh, por çfarë mund të bëjmë? Kjo është jeta”, tha ajo pas ceremonisë, përpara se të ulte maskën dhe të puthte burrin e saj.
