Detaje të reja zbardhen nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Korçë, ku u gjet e vetëvrarë në banesë një 20-vjeçare. Burime policore thane se vajza një vit më parë e reja kishte denoncuar djalin e xhaxhait për përdhunim.Të njëjtat burime shtojnë se djali i xhaxhait të saj ishte dënuar në atë kohë për veprën penale “ngacmim seksual”, ndërsa momentalisht është duke vuajtur dënimin “arrest shtëpie”.

ÇFARË NDODHI NJË VIT MË PARË
Një ngjarje tronditëse ishte shënuar në jetën e të resë një vit më parë, kur ajo u detyrua të denonconte djalin e xhaxhait të saj për ngacmim seksual. Alban Manoku, 32- vjeçari, kishte ngacmuar seksualisht vajzën e xhaxhait dhe për këtë vepër penale ishte dënuar nga gjykata. Ai kishte vuajtur 8 muaj burg, ndërsa më pas, dënimi i tij ishte lehtësuar dhe ai ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Në fshatin ku u regjistrua ngjarja tronditëse, ai njihej si përdorues i alkoolit dhe një person i paqëndrueshëm, ndërsa problemet e shëndetit mendor të vajzës ishin të njohura edhe nga pjesëtarë të tjerë të familjes. Por Policia është ende duke verifikuar nëse akti fatal i së resë ka lidhje me daljen nga burgu të kushëririt të saj apo nëse fshihen shkaqe të tjera, që mund të kenë ndikuar te vendimi për t’i dhënë fund jetës.
FAMILJA
Menjëherë sapo kanë gjetur trupin e pajetë të 20- vjeçares, familjarët kanë tentuar ta dërgojnë në spital për ndihmë mjekësore, por gjithçka ka qenë e kotë, vajza kishte humbur jetën si pasojë e mbytjes nga litari. Ata kanë lajmëruar edhe Policinë, e cila ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Po ashtu, familjarët e vajzës janë shoqëruar në Polici, për të dhënë deklarimet e tyre rreth shkaqeve që mund të kenë çuar vajzën deri në vetëvrasje.
Sipas burimeve, ata janë shprehur se prej një viti, vajza kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor, por që asnjëherë nuk e mendonin se do të kryente këtë akt të rëndë. Sipas tyre, e reja rrinte shumicën e kohës e veçuar nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Shkak për këto, familjarët mësohet se janë shprehur se është ngjarja e ndodhur një vit më parë me të afërmin e tyre.
Që prej asaj periudhe, vajza ka rënë në depresion, si pasojë e ngacmimeve të bëra nga 32- vjeçari. Po ashtu, shenjat e depresionit janë shfaqur edhe më shumë kohët e fundit, kur i afërmi i tyre që kishte abuzuar me vajzën ishte liruar nga burgu, duke u lënë në masë sigurimi “Arrest shtëpie”. Ata kanë hedhur dyshimet se mos abuzuesi mund ta ketë kërcënuar, por kjo, thotë Policia, do të hetohet.
