Shqipëria e pret Lituaninë në kërkim të fitores së parë në Air Albania

Sonte, prej orës 20:45, në “Air Albania” do të startojë ndeshja Shqipëri-Lituani, e vlefshme për Ligën C, Grupin 4 të Ligës së Kombeve. Nën gjykimin e një tresheje ukrainase, të përbërë nga Serhiy Boiko, Volodymyr Volodin dhe Andrii Skrypka, kuqezinjtë do të synojnë 3 pikët e radhës dhe ruajtjen e kryesimit. Shanset për këtë janë reale, duke parë nivelin e kundërshtarit, por edhe optimizmin e tanëve, të cilët dolën me fitoren 2-0 nga Minsku, para tri ditëve. Trajneri Edy Reja pritet të bëjë ndryshime në formacionin startues, për shkak të gjendjes fizike të disa lojtarëve.

Fatkeqësisht, pa tifozë, që me siguri nuk do të linin ndenjëse bosh në impiantin e ri dhe modern të kryeqytetit, aty ku kuqezinjtë ende nuk e kanë shënuar golin e parë. Gjithsesi, me aleat entuziazmin e fitores së arritur në fushën e Bjellorusisë, “shqiponjat” kuqezi duan me çdo kusht suksesin e radhës, për ta “përshkuar” në pak ditë gjysmën e rrugës drejt vendit të parë në Grupin 4 të Ligës C.Shqipëria bindi me rezultat dhe lojë në Bjellorusi dhe duke ruajtur të njëjtin përqendrim dhe shpirt, fitorja është krejtësisht e mundshme edhe ndaj përfaqësueses së vendit baltik.

Lituania nuk është kualifikuar ndonjëherë në një kompeticion të rëndësishëm, siç janë Europiani dhe Botërori, praktikisht konsiderohet një kundërshtar i lehtë në letër.
Në fushatën e fundit eliminatore për “Euro 2020” (turneu u shty një vit), u rendit në vendin e fundit në grup me vetëm 1 pikë në 8 ndeshje. Para pak ditësh u mposht në shtëpi 0-2 nga Kazakistani, rivali potencial i Shqipërisë për vendin e parë, dhe faktikisht nuk ka lojtarë me emër, por sigurisht nuk duhet nënvlerësuar, pasi aleat të fortë mund të ketë pikërisht marrjen lehtë nga kundërshtari.

Në Minsk, Shqipëria triumfoi falë përqendrimit maksimal dhe zbatimit me përpikëri të detyrave të dhëna nga Edy Reja, e tillë duhet të jetë qasja e kuqezinjve edhe ndaj Lituanisë, së cilës nuk i duhet lëshuar në asnjë aspekt të lojës, për të mos hedhur poshtë startin perfekt në transfertën e Bjellorusisë.

Edicioni i dytë i Nations League ka nisur me melodinë e duhur, por kujdes, çdo stonim në ndeshjet në vazhdim, qoftë në një “notë”, do ta cënonte “veprën” të cilën duhet ta shijojmë të plotë më 18 nëntor, në “Air Albania”, ndaj Bjellorusisë, me vendin e parë në grup.
E teksa të dyja ekipet përballen sot në Tiranë, kompanitë ndërkombëtare të basteve e kanë vlerësuar ekipin tonë përfaqësues si superfavorit. 1.4 është koeficienti për fitoren e vendësve kundrejt 11 për miqtë. Barazimi vlerësohet me koeficientin 4.5.

Edi Reja pritet që të bëjë ndryshime për ndeshjen e sotme me Lituaninë, e vlefshme për Grupin 4 të Ligës C të Kombeve, e cila do të luhet në “Air Albania” në orën 20:45.Strakosha mund të mos ketë dyshime për këtë ndeshje, ndërsa përpara tij, edhe pse trajneri mund ta konfirmojë pesëshen, pritet që Mihaj të zërë vendin e Veselit.

Gjimshiti e Dermaku plotësojnë treshen e prapavijës, ndërsa Hysaj dhe Trashi me gjasë konfirmohen sërish.Do të ketë minuta për Armando Brojën.

Sulmuesi pritet që të jetë edhe nga minuta e parë, por mbetet për t’u parë nëse trajneri do t’i besojë deri në fillimin e ndeshjes apo jo.Dy të tjerë që pritet të marrin minutat e para me Kombëtaren që nga starti i kësaj ndeshjeje janë Qazim Laçi dhe Endri Çekiçi.Në sulm, Armando Sadiku pritet të ketë besimin për të nisur nga minuta e parë. Megjithatë, edhe për këtë rol ka ende dyshime.Mbi të gjithë, tri janë edhe alternativat kryesore për dy postet titullare: Manaj, Broja dhe Sadiku.

Formacioni i mundshëm: Strakosha, Mihaj, Dermaku, Gjimshiti, Hysaj, Trashi, Gjasula, Laçi, Çekiçi, Sadiku, Manaj ose Broja

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: