Skënderbeu i Ahmatajt merr formë,gati edhe 3 afrikanë

Skënderbeu po merr formë. Shtyrja e kampionatit i ka ardhur më shumë se përshtat klubit, pasi kanë fituar kohën e duhur për të ndërtuar një pjesë të mirë të grupit për të përballuar sezonin 2020-2021. Bardhekuqtë kanë arritur marrëveshjen me ishlojtarët për borxhet e vjetra dhe për pasojë pritet që nga dita në ditë të zhbllokohet edhe merkatoja.

Sapo të vijë “vistoja” prej FIFA-s, drejtuesit do të bëjnë jo vetëm federimet, por edhe prezantimet e afrimet që kanë kryer gjatë kësaj vere. Presidenti Ardjan Takaj i ka bërë me dije stafit teknik që të përgatisë listën me 25 lojtarë, të cilët do të regjistrohen në sistem për këtë edicion. Tashmë mund të themi me plot gojën se Skënderbeu i Julian Ahmataj do të marrë jetë shumë shpejt.


AFRIKANËT – Vetë trajneri i ka të qarta idetë për organikën që do të ketë nën urdhra, ndërsa burime të sigurta në klubin korçar bëjnë me dije për “Panorama Sport” se në këtë listë janë përfshirë edhe tre afrikanë. Klubi është duke plotësuar dokumentacionin që ata të mbërrijnë në Shqipëri dhe më pas të firmosin kontratën.

Për momentin emrat e tyre nuk bëhen me dije, por raportohet se janë elementë cilësorë dhe vijnë direkt për të nënshkruar në Korçë dhe pa iu nënshtruar provës. Tashmë tekniku elbasanas do i duhet që t’i paraqesë presidentit listën me 22 të tjerët, ku pritet që të ketë edhe lojtarë nga ata që janë provuar gjatë kësaj faze përgatitore, numri i të cilëve i ka kaluar 40.

GARANCITË – Mes shumë lojtarëve që janë provuar gjatë kësaj kohe, duket se boshti është ndërtuar tashmë. Bosht mbi të cilin trajneri i Skënderbeut do të ndërtojë në pjesën më të madhe ekipin për sezonin e ri. Duke nisur nga porta, duket se gardianët pas disa provash tashmë janë të konfirmuar. Mario Dajsinani dhe Kostandino Dramolli do të jenë ata që do të mbrojnë katërkëndorin për këtë kampionat.

Në mbrojtje Meksi i “graduar” kapiten do të ketë shok reparti emra si Bicaj, Qaqi, Dujardi, Govori apo edhe Shalën që vjen nga Suedia. Në listë duket se është gati për t’u federuar edhe Duka për ta kompletuar këtë sektor. Në mesin e fushës Mara, Taipi dhe Rrapaj do të mbajnë peshën më të madhe të ekipit për t’u plotësuar më pas me Ivanin, Xhunfon, Bogdanin dhe Shabanin të ardhur në huazim nga Llapi.Në repartin e avancuar veç sigurive që japin Mensah, Pusi dhe Berisha pritet të shtohen në listë lojtarë si Maliqi, Tereziu dhe Çela. Ky pak a shumë pritet që të jetë Skënderbeu i sezonit të ri nën siglën e Julian Ahmatajt.

LISTA E LOJTARËVE TË SKËNDERBEUT

PORTIERË

Mario Dajsinani

Kostandino Dramolli

MBROJTËS

Jorgo Meksi

Ditmar Bicaj

Harallamb Qaqi

Malësor Shala

Altin Govori

Amer Duka (?)

Leonat Vitija

Kosta Vangjeli

MESFUSHORË

Uerdi Mara

Shqiprim Taipi

Arinaldo Rrapaj

Donald Bogdani (?)

Alban Shabani

Randi Xhunfo

Paolo Ivani

SULMUES

Alfred Mensah

Belajdi Pusi

Elvi Berisha

Bekim Maliqi

Aleksandro Tereziu

Joan Çela

PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.