NDËRMARRJE E PËRBASHKËT ÇLIRIMTARE

Nga Gentian Çala

Akt-akuzat ndaj Thaçit, Krasniqit e të tjerëve sot morën udhë. Ndërmarrje e përbashkët kriminale? Ndaj kujt, si, ku, do të na e thotë Prokuroria Speciale. Por, në sytë e mi, e të milionave si unë, kjo duket si kriminalizim i Ndërmarrjes së Përbashkët Çlirimtare, e gatuar ashtu siç tha Jakup Krasniqi në Beograd. Kriminalizimi i këtyre burrave, duket përpjekja e fundit për ta gjunjëzuar Kosovën në sytë e botës. E për fat të keq më duket se ia kanën arritur. Sot në bankën e të akuzuarve nuk mu duk veç Hashimi e Krasniqi, sado që prisja dhe mendoja se do të jenë veç ata.

Të gjithë ne që kemi menduar se në bankën e të akuzuarve janë vetëm disa individë që kanë drejtuar luftën, paskemi gabuar. Të kriminalizosh gjithë komandëm e UÇK-së do të thotë ta kuptosh luftën çlirimtare si bandë vrastare. E kjo nuk përkon me asgjë. Ata quheshin terroristë dhe separatistë veç në Serbi, sepse luftuan për lirinë e popullit të tyre. Teksa ata janë në bankën e të akuzuarve, politika jonë rreket të gjejë tradhtarët e patriotët. Kush e bëri raportin, kush e votoi, kush bashkëpunoi dhe kështu pa fund. Në kohën që duhemi të bashkuar, thjesht po i dëshmojmë se nuk kemi respekt as për ta dhe as për kauzën për të cilën luftuan.

Ndërmarrja e Përbashkët Çlirimtare sot ishte në bankën e të akuzuarve dhe çlirimtarëve u dridhej buza teksa flisnin. Kosova duket më e dobët se kurrë, më e përçarë dhe me kokën ulur. Dinjiteti i Kosovës është cënuar dhe beteja ligjore sapo ka nisur. Trishtimi i akuzës mbytej nga fjalët e çlirimtarëve. Ata po luftojnë sërish, tashmë për dinjitetin e tyre dhe të Kosovës, se rruga e lirisë është e gjatë, e dhimbshme, me sakrifica, por një cak për të cilin ia vlen ti bësh të gjitha.
Kam besim që do ta fitoni edhe këtë betejë, ndoshta të fundit tuajën.
Zoti ju ruajt!