Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Pogradec, pasi iu gjetën me vete kanabis e ndarë në doza gati për shitje dhe një sasi lekësh.Të arrestuarit janë Xh. Z., 25 vjeç, banues në Pogradec dhe K. H., 23 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, Pogradec.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/ Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohet një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shitje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të shpërndarjes së tyre në doza të vogla, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Xh. Z., 25 vjeç, banues në Pogradec dhe K. H., 23 vjeç, banues në fshatin Leshnicë, Pogradec. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, forcat e policisë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve të mësipërm në afërsi të Stadiumit, ku gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza gati për shitje dhe një sasi lekësh. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.
