2020-ta do të mbahet si një vit i zi për futbollin dhe jo vetëm. Pas humbjes te legjendës Diego Armando Maradona ,një tjetër lajm shumë i dhimbshëm për futbollin, që prek shumë edhe fansat e shumtë shqiptarë të Italisë është njoftuar mëngjesin e sotëm nga mediat italiane. Paolo Rossi, heroi i Italisë në Botërorin e vitit 1982 në Spanjë ka ndërruar jetë. Ish-sulmuesi i Juventusit është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme.
Paolo ishte hero kombëtar në Itali për shkak të atij Botërori të paharrueshëm. Ai sapo ishte kthyer nga një dënim, por u grumbullua në kombëtare dhe bëri atë, që askush nuk e mendonte.Italia nuk ishte aspak pretendente, por në fund shkoi me Kupën në shtëpi dhe protagonisti kryesor ishte padyshim Rossi. Ai i shënoi atë tregolësh të pabesueshëm Brazilit të mbushur plot me yje dhe i shënoi Gjermanisë në finalen e fituar 3-1.
Me Juven ai fitoi dy Serie A, teksa futbolli italian humbet një nga simbolet e tij. Pas tërheqjes nga futbolli Rossi u bë komentator shumë i zoti, duke punuar në televizione gjigante si Rai, Sky dhe Mediasset. Ai la tre fëmijë, Sofia Elena, Maria Vittoria dhe Alessandro. Ishte i martuar me gruan e tij Federica, e cila njoftoi e para në rrjetet sociale ndarjen e tij nga jeta. Homazhet për Paolo Rossin pritet të jenë të shumta gjatë ditës së sotme nga fansat e futbollit italian.
Gruaja e tij Federica Cappelletti dha lajmin gjatë natës në profilin e tij në Instagram.

“Përgjithmonë”, ka shkruar Cappelletti, duke postuar një foto të saj me bashkëshortin në rrjetin social.
Në të njëjtat minuta, nëndrejtori i RaiSport, Enrico Varriale, reagoi për humbjen e ‘Pablitos’: “Një lajm shumë i trishtuar, na la “një i paharrueshëm”, i cili na bëri të dashuroheshim në të gjithë atë verë të ’82 dhe që ishte shok i çmuar dhe virtuoz pune në vitet e fundit”.
“Gjashtë muaj më parë humba një vëlla, sot po vajtoj një tjetër. Nuk dua të them asgjë tjetër, nuk është koha që unë të flas”,u shpreh në një lidhje telefonike me ANSA-s, Antonio Cabrini, shoku i skuadrës së Paolo Rossit për shumë vite te Juve dhe në ekipin kombëtar.
Dino Zoff shprehet se me Rosin kishin marrëdhënie të mrekullueshme dhe lajmi për humbjen e tij është i vështirë.

