Nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Sot, me anë të një emaili nga Ministria e Kulturës, morëm një përgjigje zyrtare për kërkesat tona për “Mësonjëtoren e parë shqipe”. Përgjigjia ndihmoi më në fund të gjejmë referencat ligjore ku provohet zyrtarisht se është hequr emërtimi “Mësonjëtorja e parë shqipe” hequr nga letrat e shtetit dhe ka qenë, dhe është hequr statusi i saj “Muze Kombëtar i Arsimit” dhe ka qenë. Nga ana tjetër, prej ligjit për muzetë statusi muze kombëtar i është dhënë “Muzeut të Artit Mesjetar” po në Korçë. Të dyja këto veprime zëvendësuese heq statusin muze kombëtar për “Mësonjëtoren e parë shqipe” dhe shton statusin “Muze kombëtar për Artin Mesjetar” po në Korçë provon se qartësisht po luftohet kombëtarja dhe laike për hir të së huajës dhe fetares dhe e gjithë kjo luftë po bëhet në Korçë. Për qeverinë Korça nuk duhet të ketë simbol “Mësonjëtoren e parë shqipe”, 7 mars 1887, margaritarin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pra Korça nuk duhet identifikuar për nga rëndësia si një vatër e arsimit laik shqip, por duhet identifikuar përmes “ikonave të Artit Mesjetar” që është një mënyrë e kamufluar për të paraqitur vetëm fetaren dhe kryesisht ortodoksen, pra Korça konvertohet nga laike në fetare dhe po qe fetare e dimë se kush e ka ndikimin më të madh aty, njerëzit do të thonë “Korça e Mesjetës” dhe jo “Korça e Rilindjes”, do të thonë “Korça fetare” dhe jo “Korça laike”. Sigurisht që këto kanë jetuar bashkë, por fakti që njëra (Mesjeta) lufton Rilindjen Kombëtare që përfaqësohet më mirë se në çdo institucion tjetër tek Mësonjëtorja, tregon qartë zyrtarizimin e Luftës Fetare, që ne e kemi patur dyshim, por tashmë e kemi edhe me letra. Fakti që godina e “Mësonjëtores” do të administrohet përkohësisht nga “Muzeu i Artit Mesjetar”, qartësisht flet edhe në këtë drejtim për nënshtrim të Rilindjes Kombëtare si koncept ndaj Mesjetës.
Me këtë veprim qeveria i ka hequr mbështetjen Harmonisë Fetare. Pesha rëndesa që ka arsimi laik publik është ajo që ruan Harmoninë Fetare. Nuk e ruajnë shkollat fetare harmoninë, ato përkundrazi rritin dallimet përmes riprodhimit të grupeve me kulturë homogjene fetare.
Qeveria Shqiptare është bërë zëdhënese e një qytetërimi, atij mesjetar, duke braktisur qytetërimin e mrekullueshëm shqiptar që u ngjiz, krijua në vlera të jashtëzakonshme nga Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Tani le të merremi me letrat:
Emaili ardhur sot në adresën info@udhaeshkronjave.edu.al nga adresa info@kultura.gov.al. E-maili u ishte drejtuar edhe të gjithëve atyre drejtorëve që ne u ishim drejtuar. Letra që na është nisur gjendet në këtë artikull si foto më poshtë.
Sqarimet ligjore:
Në 1997, qeveria e Aleksandër Meksit miraton statusin “Muze kombëtar”. Shkresën e nxorëm nga https://qbz.gov.al/:

Qeveria e Shqipërisë, me VKM vendim 146, datë 10.03.2021, ” Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e muzeut të arsimit Korçë” për të hequr çfarë donte të hiqte, krijon një institucion të ri duke fshirë Kujtesën Historike. Kishim një muze dhe qeveria zgjedh të krijojë një institucion nga e para. Kjo bëhet për t’i vënë fshesën “Mësonjëtores”. Kjo bëhet qëllimisht.
Me këtë vendim, në përmbajtje, nuk përmendet fare “Mësonjëtorja e parë shqipe”, nuk përmendet 7 marsi 1887, dhe shfuqizohet statusi “Muze Kombëtar i Arsimit”. U krijua kështu me një VKM një Histori e Re, në të cilën “Mësonjëtorja e parë shqipe” që është në pronën e vet që nga 7 marsi 1887 do të trajtohet brenda muzeut si flokët e Sevastisë (siç thotë Nikoja) apo si ndonjë copë tavolinë druri. Vizitori nuk do të hyjë tek “Mësonjëtorja” por do të hyjë në diçka ashtu në përgjithësi që ka lidhje me arsimin.
Qeveria e ka bërë këtë punë 3 ditë pas 7 marsit, pra më 10 mars. Kjo tregon se Qeveria ka punuar pas shpinës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që përfaqësohet nga data 7 mars. Nëse vendimet e qeverisë do të ishin pro “mësonjëtores”, ato do të inaguroheshin në 7 mars, por kanë qenë kundër saj dhe është zgjedhur qëllimisht data 10 mars, për të patur kohën më të largët nga 7 marsi pasardhës, pra 363 ditë të tjera, kohë e mjaftueshme, sipas tyre. Nëse kjo VKM do të ishte e mirë, Ministria do ta propagandonte atë si një arritje, por ata e fshehën sa mundën. Çfarë fshihet, përveçse gjëja për të cilën publiku nuk duhet të dijë gjë sepse do të acarohet?
Detyra e parë e muzeut do të ishte mbrojtja e emrit “Mësonjëtore e parë shqipe” 7 mars 1887″, por në fakt në VKM-në e qeverisë thuhet ndryshe, thuhet që muzeu do të promovojë “institucionin e parë arsimor në Shqipëri”. VKM-ja thotë ” Muzeu i Arsimit Korçë ka për mision promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të lidhura me historinë e themelimit të institucionit të parë arsimor në Shqipëri”. Koment: pra qeveria nuk ka denjuar as t’ia thotë emrin “institucionit arsimor”. Emri ishte i përveçëm “Mësonjëtorja e parë shqipe” dhe kështu njihet në Kujtesën tonë Kombëtare.
Megjithatë, kjo është finokëri ndaj “Mësonjëtores”, sepse në fakt në atë kohë të shek XIX në Shqipëri, sipas Akademisë së Shkencave, ka patur me qindra shkolla të tjera, por ishin në gjuhë të huaj, shtetërore turke ose greke. Cila prej tyre mund të jetë e “para”? Mund të dalë që ndonjë shkollë greke ose turke të jetë “institucioni i parë arsimor”. Pse? Sepse qeveria qëllimisht nuk vendos fjalën “shqipe” pas togfjalëshit “institucion arsimor”.
Atëherë përse nuk thuhet për “Mësonjëtorja e parë shqipe” por në vend të saj thuhet për “institucionin e parë arsimor”? Sepse duan që kjo të jetë sa më e atakueshme, sa më e sfidueshme, sa më e diskutueshme, sa më lodhëse, sa më tallëse, sa më munduese që dikush më në fund të dorëzohet e të thotë “bëni çfarë të doni me këtë muhabet”, pra nivel i ulët diskutimi.
Pra vendosin në letra zyrtare, përcaktime që e dëmtojnë rëndë vetë “Mësonjëtoren”, përgatitin shtratin për sulm të mëtejshëm, por ta bërë “muzeun e arsimit” të Korçës, si Pazari i Korçës, pra çështja e emrit të bëhet një rrëmujë të qëllimshme. Megjithatë nuk do të jetë edhe aq rrëmujë, sepse qeveria e ka vënë rregullin: nuk ka “Mësonjëtore të parë shqipe”, nuk ka 7 mars 1887, nuk ka “Muze Kombëtar i Arsimti” në Korçë.
Shkurt e qartë është e provuar zyrtarisht me vendime e ligje që Qeveria e Shqipërisë nuk e do “Mësonjëtoren e parë shqipe”, nuk e do 7 marsin 1887, nuk e do statusin “Muze Kombëtar i Arsimit”, nuk e do Rilindjen Kombëtare dhe çfarë do është “Mesjeta” për të cilën ka një kujdes të veçantë duke i dhënë statusin “Muze kombëtar të artit mesjetar” pikërisht në Korçë për karshillëk ndaj “Mësonjëtores” dhe që dashamirësit e “Mësonjëtores” ta mësojnë mirë se kush ua bëri këtë punë.
Është mëkat se si një qeveri shqiptare arriti në këtë pikë. Duke hequr “Mësonjëtoren e parë shqipe”, ajo është njësoj si t’i heqë syzet dikujt që nuk sheh pa to dhe t’i thotë tani shko shiko muzetë që kanë mbetur. Konkretisht për
a) për Muzeun Historik Kombëtar – A do të vinte puna të kishim një Muze Kombëtar pa qenë formuar e tërë kultura shqiptare, vetëdija kombëtare në Rilindjen Kombëtare dhe që kjo punë u bë kryesisht përmes shkollave ku “Mësonjëtorja e parë shqipe” ishte gur i parë? (Naim thoshte për “Mësonjëtoren” “Sot e vumë gur’ e parë, sa është e bekuar kjo ditë, Zot i math e pruftë mbarë e na dhëntë urtësitë”)
b) për Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura. Edhe zhvillimi i arteve të bukura shqipotare i detyrohet shumë “Mësonjëtores së parë shqipe”. Ajo nuk kishte detyrë vetëm gjuhën shqipe, por edhe ndjesinë shqipe, frymëzimin shqiptar që është bazë e zhvillimit të Arteve të Bukura që i gëzojmë. Arti mësohet në shkollë dhe shkolla mëson shqiptaren dhe botëroren.
c) Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. “Studio Marubi” ka lindur në shek XIX, shekulli i “Rilindjes Kombëtare” dhe synimi i saj është të dokumentojë jetën shqiptare. Ne “Mësonjëtoren” e kemi dhe çdokumentojmë.
ç) Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar; Ky është muzeu që zhvendosi “Mësonjëtoren” me anë të raportit të rëndësisë që qeveria i dha “Mesjetës” dhe dëmit që donte t’i shkaktonte “Rilindjes” që e ka thelbin muzeal tek “Mësonjëtorja” dhe askund tjetër. Ishte pikërisht zëvendësimi i tij në dukje nga një institucion me bazë artin, por ku do të mblidhen si milingonat pas sheqerit e gjithë hierarkia kishtare ortodokse kryesisht greke që synon ta kthejë Korçën vetëm në një domein fetar ortodoks grek. Zëvendësimi i “Mësonjotëres” me Muzeun e Artit Mesjetar është kirurgjia që i është bërë kulturës së qytetit të Korçës.
d) Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia e gjetheve”. Këtu do të frymëzohen patronazhistët e ardhshëm, për të spiunuar komshiun, kolegun në qendrën e punës, për të marrë vesh me “syze të errta” se për kë do të votojnë me fis e me faraë. Edhe ata do të kenë “mësonjëtoren” e tyre dhe ajo është “Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia e gjetheve”, që do t’i frymëzojë në drejtimin që kanë zgjedhur në jetë. “Mësonjëtorja e parë shqipe” synonte tjetër personalitet të shqiptarit. Naimi shprehimisht e thotë që nuk duhet të kallëzojnë, pra të bëhen spiunë. Vargjet e tij janë të qarta: Të mos shajm’ e të qërtojmë, kurrë të mos kallëzojmë. “Shtëpia me gjethe” mundet të lexohej, por me sytë e “Mësonjëtores”. Duke hequr “Mësonjëtoren” ajo kthehet jo në muze por në “mësonjëtore” të një shqiptari të përçudnuar.
dh) Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Askush nuk mund të thotë se Pavarësinë na e solli pelikani dhe jo vetëdija kombëtare që u krijua përmes rrjetit të shkollave shqipe që u bënë vatra të luftës për pavarësi kulturore, gjuhësore dhe politike. Kolonë mbajtëse e këtij “Muzeu” në distancë janë të gjitha “Mësonjëtoret” kudo që u hapën sipas modelit të “Mësonjëtores së parë shqipe”.
e) Muzeu Kombëtar i Bashkëjetesës. Pa “Mësonjëtoren” ky kthehet në Muzeun e Hipokrizisë së shtetit shqiptar sepse është pikërisht “Mësonjëtorja” dhe simotrat e saj që edukuan fuqishëm bashkëjetesën sepse ishte institucion laik (pra jo i njëanshëm fetar) dhe nuk ka institucion tjetër që e ruan bashkëjetesën siç e ruajnë shkollat laike shqipe. Kjo kështu është edhe në botë, por ne e kemi një faltore të tillë siç është “Mësonjëtorja”.
ë) Qendra Muzeore Krujë-“Muzeu Kombëtar Skënderbeu, Muzeu Etnografik Krujë”;
“Mësonjëtorja” ishte vendi ku do të mësohej Historia e Skënderbeut e shkruar nga Marin Barleti apo në poezi nga Naim Frashëri. Tërësia e shkollave shqipe kishte detyrë t’i drejtonte vëmendjen nga Kruja si burim i frymëzimit kombëtar. Sabotimi i “Mësonjëtores” është sabotim i Skënderbeut dhe i Historisë sonë të Lavdishme. Nëse Sami Frashëri thotë “nuk ka gjuhë shqipe pa shkolla që ta mësojnë atë”, atëherë si mund të shpresohet që do të kemi Histori të Shqipërisë pa shkolla që do ta mësojnë atë. “Mësonjëtorja e parë shqipe” simbolizon shkollat shqipe laike, sepse është zanafilla e tyre dhe goditja e saj është goditje në thelb të Kulturës Kombëtare shqiptare.



PËRGJIGJIA E MINISTRISË SË KULTURËS PËR DREJTORIN ARTUR SHKURTI
Më poshtë me foto është dhënë përgjigjia e Ministrisë së Kulturës, datë 19 prill 2021
Citim 1 nga përgjigjia
“Në lidhje me emërtimin “Mësonjëtorja e parë shqipe” e gëzon si godinë shpalluar monument kulture nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me numër 1886, datë 10.6.1973 “Mësonjëtorja e parë shqipe në qytetin e Korçës”, status të cilin godina aktualisht e mban.”
Koment: Mënyra si është formuluar fjalia “Në lidhje me emërtimin … e gëzon si godinë….” del se “Mësonjëtorja e parë shqipe” nuk gëzon emrin, por godinën, pra del se emri i duhet hequr dhe i duhet lënë vetëm godina. Fakt është që në godinë është hequr emri dhe ky shpjegim përputhet plotësisht me çfarë ne kemi, pra kujtimi i “mësonjëtores” (thotë ministria) duhet të gëzojë godinën dhe godina nuk duhet të gëzojë emër. Nuk del nga shpjegimi i ministrisë që godina e shpallur monument kulture të gëzojë emërtimin “Mësonjëtorja e parë shqipe”. Sidoqoftë vendimi 146 i qeverisë 10.03.2021 nuk lë vend për dyshim gjithçka që ne duam të jetë, nuk është dhe është fshirë nga inistitucioni.
Komentet për çfarë shkruhet në përgjigjigjen e Ministrisë janë të tepërta, por megjithatë po vijojmë për të kuptuar tendencën.
Në përgjigje thuhet se në 17 maj 2018 me “Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe për muzetë” në nenin 202 janë specifikuar cilat janë Muzetë Kombëtare dha aty nuk përmendet “Mësonjëtorja e parë shqipe” që ka qenë, por ndërkohë neni 278 i këtij ligji që citon shprehimisht aktet që shfuqizohen prej tij nuk thotë se vendimi 13 i datës 13.01.1997 i qeverisë Meksi anullohet, pra edhe ky ligj e lë në fuqi, pavarësisht se në paradoks, sepse duhej përmendur në nenin 202. Neni 202 thjesht përforcon idenë tonë se puna ndaj “Mësonjëtores” ka qenë shumë e studiuar, por e studiuar kundër saj dhe jo pro saj. Edhe me Ligj të së njëjtës qeveri e të të njëjtit Parlament, është përgatitur terreni për të hequr “Mësonjëtoren e parë shqipe” nga Kujtesa Kombëtare.
Si mundet të kemi “Muze Kombëtar të Përgjigjimeve” dhe të mos kemi “Muze të Mësonjëtores Shqipe”. Qartësisht ato frymëzojnë në drejtime të ndryshme. Njëra drejt dinakërisë dhe tjetra drejt së vërtetës. Fakt është që tashmë kemi një problem shumë të madh me sistemin e patronazhimit që rrjedh nga “Muzeu Kombëtar i Përgjimeve” dhe nuk kemi problem të kemi njerëz me integritet dhe që të duan bashkëkombasin që është detyrë e “Mësonjëtores së parë shqipe” të 7 marsit 1887 vepër e Rilindjes Kombëtare.
Vendosja në ligjin 27/2018 e statusit kombëtar për “Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar” në Korçë dhe heqja me ligj nga Korça e “Mësonjëtores së parë shqipe” 7 mars 1887 është qartësisht shprehje e luftës fetare ndaj laikes dhe kombëtares, sepse e dimë shumë mirë që Arti Mesjetar do të frymëzojë përveçse do të shuajë kureshtjen vetëm në drejtimin fetar dhe që fetarja të marrë statusin kombëtar dhe laikes t’i hiqet statusi kombëtar, kjo është thjeshtë e pastër luftë fetare dhe ndaj kemi të drejtë që çështjen e Mësonjëtores ta trajtojmë si shprehje e luftës fetare që faltore të huaja i bëjnë qytetit të Korçës, dhe të gjithë Kulturës Kombëtare Shqiptare.
Hiqni dorë, hiqni dorë,
Mblidhi ment e turpërohi,
Mos u bëj tradhëtorë,
Se pastaj do të pendohi.
Naim Frashëri


