Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli është shfaqur shumë i lumtur për fitoren e Skënderbeut ndaj Kastriotit. Pas ndeshjes, për “Supersport”, tekniku pogradecar u shpreh i bindur se skuadra e tij do sigurojë mbijetesën.
Ndeshja– Nga ajo që ka bërë Kastrioti në ndeshjet e fundit, sot kishim parashikuar që të krijonim një ngjeshje dhe minimizim të hapësirave, për të mos i dhënë fleksibilitet kundërshtarit. Kishim vështirësi në 20 minutat e para. Duke kaluar minutat skuadra krijoi një besim. Pjesa e dytë foli e gjitha për ne. E vumë veten në vështirësi te penalltia e humbur, që mund të kishim siguruar gjithçka. Por goli i dytë na qetësoi.
Ndryshimi– Skuadra ka punuar në planin fizik, teknik dhe takti, dhe çfarë është e rëndësishme në Shqipëri, në anën psikologjike. Lojtarët kanë komplimentet e mia, për atë që treguan sot. Në javët e mbetura do jetë gjithçka e mundur. Nëse luajmë kështu dhe vazhdojmë me këtë ritëm, nuk rrëzohemi nga kategoria. Mjafton që të bisedosh dhe ta bindësh lojtarin për atë që ka. Skuadra ka cilësi, por e rëndësishme është ana psikologjike. Kam ardhur këtu në javën e 18-të. Nëse qëndrojmë në Superiore këtë sezon dhe këtë me bindje e them se do e arrijmë. Me 3-4 përforcime Skënderbeu i sezonit tjetër do jetë për 3-4 vendet e para. Unë nuk e di çfarë d të ndodhë, mund edhe të mos jem trajner.
Kundërshtari– Kastrioti është një skuadër me intensitet të lartë, sidomos në ndeshjet brenda. Është një skuadër që nëse kalon në avantazh, e ul ritmin. Ishim përgatitur për këtë. Goli i parë, por edhe kartoni i kuq, na ndihmuan të kemi lirshmëri. Superioriteti në numër, të jep liri në sulm dhe të bën të jesh i kujdesshëm në mbrojtje, ne e shfrytëzuam këtë.

Ndreu (Kastrioti): “Me pak kujdes edhe mund të fitonim. Por lojtarët mendojnë që cdo skuadër poshtë nesh ne duhet të fitojmë. Por harrojmë që tani cdo ndeshje është matematikë. Kemi humbur qetësinë. Janë lojtarë të rinj, me temperament të egër, nuk e kuptojnë cfarë dëmi i shkaktojnë skuadrën. Jo se gjithcka ka mbaruar. Ne jemi 2 pikë para Korcës. Sot nëse merrnim barazim, Korça merrte poshtë, ndërsa Bylisin e prisnim në Krujë, por ne kemi humbur qetësinë siç duket. Do mundohemi të jemi të qetë. Edhe fatin e lidh me tensionin. U bë dy-tre herë që mundohem me të gjitha mënyrat, duke komunikuar me lojtarët që jemi fund kampionati dhe gjithcka është llogari. Nuk janë lojtarë që mbajnë presionin dhe bëjnë gabime amatore. E kemi pasur gjithë luksin me pikët që kemi pasur ta menaxhonim këtë fund kampionati”.
