Mediat greke kanë ngritur alarmin se Turqia po e rrethon Greqinë, duke përdorur Shqipërinë, ku do të sjellë një numër të madh dronësh luftarakë “Bayraktar TB2”.Kompania e prodhimit të këtyre dronëve ka publikuar foto gjatë vizitës atje të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kryepolicit Ardi Veliu, ndërsa pala shqiptare nuk e bërë të ditur këtë vizitë.
Videoja e publikuar nga “haber7.com”, tregon se ata që po shohin në monitor se si funksionon droni luftarak turk Bayraktar TB2 janë ministri ynë i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kryepolici Ardi Veliu.
Ata vizituan kompaninë Baykar, që i prodhon këto mjete luftarake. Vetë kompania dhe drejtori Haluk Bayraktar, kanë publikuar në Twitter momentet e vizitës, ndërsa pala shqiptare reagoi sot përmes një deklarate nga ministri Çuçi.
Por, ky moment nuk ka kaluar qetësisht nga grekët, pasi mediat atje kanë nisur komentet e para, ku përmbledhtazi thuhet se “Shqipëria, me bekimet e Turqisë, është e interesuar të blejë dronët “Bayraktar”, ndërsa Ankaraja kërkon të krijojë një derë të prapme në Perëndim të Greqisë”.Kjo shihet si një tjetër dhimbje koke për administratën greke, pasi turqit po e rrethojnë nga një pikë që Athina nuk e “llogariti”.
Gjatë vizitës në Turqi, vetë kryeministri Edi Rama pohoi blerjen e dronëve superinteligjentë për kontrollin e territorit, por nuk përmendi ndonjë vizitë në fabrikën e dronëve luftarakë.Bayraktar TB2 është një mjet ajror luftarak, pa pilot, i aftë për operacione fluturimi të kontrolluara nga distanca ose autonome. Avioni monitorohet dhe kontrollohet nga një ekuipazh në Stacionin e Kontrollit Tokësor, i përdorur në disa konflikte./ A2Cnn

