Zgjedhjet në PD, Shehaj: Janë duke u përjashtuar vëzhguesit e mi në të gjithë vendin, po fusin lista të tjera anëtarësh

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka shprehur sot pakënaqësi ndaj procesit të votimit duke thënë se në disa qendra, vëzhguesit e tij janë përjashtuar pa të drejtë.Shehaj shprehet se edhe listat janë duke u ndryshuar, dhe shumë anëtarë mbështetës të tij nuk po e gjejnë dot emrin për të votuar.Shehaj bën thirrje që demokratët e thjeshtë të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar.

Ja se ç’shkruan Agron Shehaj:


“Jemi duke monitoruar më vëmendje gjithë procesin zgjedhor. Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit tanë që pavarësisht parregullsive dhe presioneve, të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike.
Ne jemi duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë. Fatkeqësisht, më duhet të them se, në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin.
Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati.

Gjithashtu, në degët e mëposhtme, vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë të votojnë apo jo. Pra nëse janë në lista apo kanë kartë anëtarësie.
Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat. Madje në Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll.

Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së.

Iu bëj thirrje demokratëve të thjeshtë që të luftojnë për votën e tyre dhe të mos lejojnë askënd që t’u heqë të drejtën për të votuar”, shkruan Shehaj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.