Nisin Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”/ Spektakël në ceremoninë hapëse(Video)

Sot në Tokio po mbahet ceremonia spektakolare për startimin e Lojërave Olimpike. Ndryshe nga vitet e tjera për shkak të pandemisë së Covid-19 të pranishëm në stadium janë vetëm 950 persona dhe e gjithë ceremonia nga pjesa më e madhe e sportdashësve po ndiqet online. Shqipëria në këtë kompeticion do të përfaqësohet nga 9 sportistë të cilët janë shpresë plotë edhe për fitimin e një medalje në fund.Në hapje të ceremonisë u mbajt një minutë heshtje për të gjithë viktimat e Covid në të gjithë botën.

https://twitter.com/korcablog/status/1418548378577915907?s=21

Si gjithnjë, pritshmëritë më të larta të kuqezinjve vijnë nga peshëngritja. Briken Calja dhe Erkand Qerimaj janë shtangistët që përfaqësojnë sportin më të suksesshëm të vendit. Ashtu sikurse ka deklaruar vetë sportisti dhe Komiteti Olimpik, Shqipëria synon fitimin e medaljes së parë olimpike në historinë e saj me Caljen, objektiv që e ka shprehur publikisht në shumë raste ish-kampioni i Europës.Përfaqësuesit e atletikës do të jenë rekordmenët Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj.

Finale dhe rekord synon edhe Smajlaj në kërcim së gjati, ndërsa trajneri i tij personal, Gjergj Ruli, lë të hapur edhe mundësinë e medaljeve, duke iu referuar formës së shkëlqyer të shkodranit.Për herë të parë Shqipëria do të garojë në gjimnastikë artistike, aty ku do të përfaqësohet nga Matvei Petrov.Rusi i natyralizuar, i cili konkurron në disiplinën e kaluçit me doreza, në muajt e fundit ka arritur rezultate të jashtëzakonshme me flamurin tonë kombëtar, duke regjistruar tituj si kampion Europe dhe bote.

Qitja do të përfaqësohet nga Manuela Delilaj, e cila do të provojë shënjestrën në 10 metra pistoletë me ajër dhe në 25 metra pistoletë sportive. Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu janë notarët e vendit tonë në këtë aktivitet, të cilët do të garojnë respektivisht në 50 dhe 100 metra stil i lirë, me objektiv përmirësimin e rekordeve kombëtare.

Më shumë se 11,238 atletë nga 204 shtete do të garojnë në 33 sporte dhe 50 disiplina të ndryshme në “Tokyo 2020”. Ceremonia nisi në orën 20:00 sipas kohës lokale, me më pak se 1,000 njerëz në stadiumin që ka kapacitet për mbi 68,000 vetë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.