Gjekmarkaj: “Basha ka 40 mijë vota,berisha do t’i marrë partinë me 3 mijë vota… dhe ta çojë drejt asgjësimit…

Duke folur në emisionin “Opinion” Gjekmarkaj tha se Berisha mund të ishte patriarku i PD-së dhe është ende në kohë për të qenë, por shtoi se ai e di shumë mirë se PD nuk mund të jetë parti fituese me një kryetar të shpallur “non grata” nga SHBA-të. Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj deklaron se nuk ka një proces gare brenda selisë blu, duke theksuar se Sali Berisha me 3-4 mijë veta në Kuvend nuk mund të realtivizojë Lulzim Bashën, që ka marrë 40 mijë vota në garën e qershorit. Gjekmarkaj tha se konflikti me SHBA-të mund ta zvogëlojë PD-në dhe ta çojë drejt asgjësimit, pasi bëhet fjalë për një fuqi madhore të botës.

Gjekmarkaj tha :


Nuk jemi në proces gare. Nuk mund të garojë në Kuvend. Aksionerët e partisë, janë anëtarët e partisë të cilët i kanë dhënë 40 mijë vota Lulzim Bashës. 3 apo 4 mijë veta në Kuvend nuk mund të relativizohen 40 mijë vota që ka marrë Basha në qershor. Bëhet fjalë për një miting, Kuvend që nuk dihet a do jetë legal a nuk do jetë”, tha Gjekmarkaj.

“Në këto 5 apo 6 javë sa herë jam pyetur jam kujdesur të them që Berisha është një personalitet i të djathtës, një njeri me staturë të lartë intelektuale, dhe politike. Nuk jam kujdesur për hipokrizi, apo politikë, por mendoj e ka mbyllur ciklin e tij, me të gjitha sukseset dhe dështimet. Ai e di shumë mirë që kryetari i PD nuk mund të jetë non grata nga SHBA-të. Ai mund të jetë por nuk mund të jetë fituese PD-ja. Është e pamundur të sjellë një gjë të re në PD. Berisha mund të ishte patriarku moral i PD, është ende në kohë për të qenë, por nuk mund të jetë e ardhmja e PD. Mendoj që Berisha e ka mbyllur këtë cikël në 30 vjet, tani edhe mosha e tij nuk e lejon, sepse pas 5 vitesh do jetë 82 vjet”, shtoi deputeti i PD-së.

“Ne e dimë që SHBA-të janë fuqi madhore e botës. Janë ata stabilizatori. Nuk mund ta trajtojmë si fuqi minore, si shaka. Berisha e di më mirë se kushdo fuqinë e tyre. Do i kishte pasur hije Berishës që ti mallëngjente demokratët duke u martirizuar për interesat e kësaj partie, por ai ka zgjedhur konfliktin. Por konflikti me SHBA-të e zvogëlon PD-në, mund ta çojë në deriva që ne nuk na i merr mendja, mund ta çojë drejt asgjësimit. Duhet tua themi shqiptarëve këtë. Është e pamundur që një parti politike në Shqipëri të vijë në pushtet, të qeverisë nëse nuk është në sintoni me SHBA-të”, u shpreh ai.